CIA mbajti për disa vite me radhë një burg të fshehtë në Bukuresht, lajmëroi “Associated Press” të enjten. Në të merreshin në pyetje dhe torturoheshin të dyshuar si terroristë.
Informacioni u zbulua në kuadrin e një investigimi të “AP” dhe dy mediave gjermane. Një ish-efektiv i CIA-s identifikoi ndërtesën, ku sipas tij mbaheshin dhe torturoheshin të dyshuar.
Ndërtesa dy-katëshe i përket agjensisë rumune “Orniss”, e cila arkivon informacione të klasifikuara të NATO-s dhe Bashkimit Europian.
”Orniss”, nëpërmjet një komunikate hodhi poshtë çdo lidhje me lajmin, ndërsa CIA ka refuzuar të komentojë.
Investigimi, i kryer në bashkëpunim nga “AP”, “Sueddeutsche Zeitung” dhe “ARD”, arriti të identifikojë disa personazhe të njohur të mbajtur në këtë burg, përfshi edhe Khaled Sheikh Mohammed, eksponent i lartë i Al-Kaedës, i cili ka pranuar se ishte truri që organizoi sulmet e 11 shtatorit.
Ai u sekuestrua në Pakistan në mars 2003, në bazë të ligjit të posaçëm, që i lejonte autoriteteve amerikane të vepronin edhe në zona jashtë juridiksionit të tyre. Që prej vitit 2006, Mohammed ndodhet i burgosur në burgun e Guantanamos, ku po i nënshtrohet një procesi. Megjithatë, investigimi pretendon se në periudhën e ndërmjetme, ai është mbajtur në kompleksin e ndodhur në kryeqytetin rumun.
Një ish-operativ i CIA-s, i cili foli në kushte anonimati, u shpreh se sekreti “ka qenë i ruajtur mirë” dhe se shumë pak zyrtarë rumunë mund të kenë qenë në dijeni të aktivitetit që kryhej në ndërtesë.
Spekulimet për ekzistencën e vendeve të “zeza të CIA-s” në vende si Rumania dolën në dritë për herë të parë në vitin 2005, por u hodhën poshtë prej Uashingtonit.
Në vitin 2007, një hetim i Këshillit të Europës akuzoi Rumaninë për mbajtjen e një burgu të fshehtë, por akuzat u përgënjeshtruan nga Bukureshti. Në atë kohë, CIA e cilësoi raportin si “të shtrembëruar dhe tendencioz”.
Në vitin 2006, Presidenti Amerikan, George Bush, pranoi akuzat se shërbimet inteligjente kishte hapur burgje në disa vende nëpër botë, por nuk pranoi të identifikonte shtetet përkatëse.
Një hetim i pavarur i BBC-së në vitin 2010 arriti në përfundimin se Khaled Sheikh Mohameed u bë subjekt i disa torturave të ndryshme në një burg të fshehtë të CIA-s në Poloni. Megjithatë, besohet se ai u transferua në Rumani pasi burgu në fjalë u mbyll.
Sipas ish-agjentit të CIA-s, burgu në fjalë kishte gjashtë qeli të parafabrikuara, ku nuk ndodhej asnjë komoditet, me përjashtim të një ore dhe një shigjete që tregonte drejtimin e Mekës, për t’i lejuar të dyshuarve si terroristë që të luteshin.
Top Channel