Spanjë, debat televiziv në prag zgjedhjesh

08/11/2011 00:00

Dy rivalët për postin e kryeministrit në Spanjë kanë mbajtur debatin e
tyre direkt në televizion, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Papunësia e lartë dhe ekonomia e dobët ishin temat që dominuan përballjen mes socialistit në pushtet, Alfredo Perez Rubalcaba dhe kundërshtarit Mariano Rajoy.

Sondazhet sugjerojnë se partia socialiste PSOE do të pësojë një humbje të fuqishme përballë opozitës së qendrës së djathtë, Partia Popullore.

Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 20 nëntor. Vëzhguesit besojnë se PSOE do të ndëshkohet për keqqeverisjen e Spanjës në krizën më të keqe ekonomike në dekada.

Kuota e papunësisë ndodhet pranë 22 përqindshit, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian dhe ka shenja se vendi po kthehet mbrapsht në recesion.

Zoti Rubalcaba përdori debatin për të akuzuar zotin Rajoy se ka pasur plane sekrete për shkurtime masive dhe privatizime, të cilat nuk po ia tregonte elektoratit.

“Nëse u tregoni njerëzve planet që keni ndërmend, as anëtarët e partisë tuaj nuk do të votojnë për ju”, deklaroi Rubalcaba.

Por Rajoy, 56 vjec, e ka kaluar debatin duke përmendur disa ide, të dhëna statistikore dhe duke premtuar ndryshimin.

“Cështja kyce në këto zgjedhje është nëse ne do të vazhdojmë me të njëjtat politika, apo do t’i menaxhojmë gjërat ndryshe. Unë mendoj se Spanja ka nevojë urgjente për ndryshim”, tha ai.

Top Channel