Shtëpia e Bardhë: Nuk kemi kontakt me jashtëtokësorë

08/11/2011 16:10

Qeveria e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë kategorikisht ekzistencën e kontakteve me forma jete jashtëtokësore, në një deklaratë të bërë gjatë ditës së martë.

Komunikata e çuditshme erdhi pasi një nisme të qeverisë nëpërmjet një faqe interneti, ku premtohej një përgjigje për çdo peticion të firmosur nga më shumë se 5 mijë qytetarë amerikanë.

Dy peticione, me mbi 17 mijë firmëtarë, iu drejtuan Uashingtonit pikërisht për të mësuar mbi ekzistencën e kontakteve me të ashtuquajturit “UFO”.

”Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë ekzistencën e çfarëdo forme jete jashtë planetit tonë dhe aq më pak të vendosjes së kontaktit midis këtyre formave të jetës dhe njerëzimit”, shkruhej në përgjigjen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

”Nga faktet që njohim, nuk ka ndonjë informacion të besueshëm që të na bëjë të mendojmë se kjo qeveri apo çdo qeveri tjetër në botë ka në dorë prova të sakta, të cilat i mban të fshehura nga vëmendja e publikut”.

Megjithatë, eksperti i cili iu përgjigj peticionit në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, e cilësoi si të mundur që ndonjë formë jete të ekzistojë, jashtë dijenisë sonë. “Shumë shkencëtarë dhe matematicienë kanë kryer llogaritje, duke arritur në përfundimin se ka disa planete në sisteme të largëta diellore, ku ka gjasa të mëdha të ketë jetë. Megjithatë, bëhet fjalë për planete të ndodhur në galaksi që janë miliardë vite dritë larg”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA