Sarkozy: Netanyahu, një gënjeshtar

08/11/2011 00:00

Presidenti francez Nicolas Sarkozy e ka kritikuar ashpër kryeministrin
izraelit Benjamin Netanyahu, duke e quajtur atë “një gënjeshtar”.

Kritikat janë bërë gjatë një bisede me presidentin amerikan Barack Obama dhe janë dëgjuar nga gazetarët.

“Unë s’e duroj dot më atë, ai është një gënjeshtar”, tha Sarkozy në frengjisht. “Ti mund të mos e durosh dot, por unë duhet të merrem me të cdo ditë”, u përgjigj presidenti Barack Obama.

Batutat u bënë gjatë samitit të vendeve të G20 që u mbajt para pak ditësh në Kanë dhe janë transmetuar nga faqja e internetit Arret sur Images.

Por deklaratat respektive, të bëra gjatë një bisede private, u dëgjuan nga disa gazetarë, të cilët megjithatë nuk i publikuan menjëherë.

Gazetarëve të pranishëm në konferencën dypalëshe për shtyp iu dhanë mjete elektronike përkthimi, por iu tha që të mos vendosnin në kokë kufjet derisa biseda të kishte mbaruar.

Por pati nga ata që dialogun e dëgjuan. Për disa ditë mediat franceze qendruan në heshtje, vendim ky i marë nga redaksitë për të mos vënë në siklet shefin e pallatit Elize.

Një korrespondent për gazetën “Le Monde” shkroi për dialogun, por pa përmendur citime, ndërkohë që gazetat izraelite e kanë raportuar atë të plotë.

Në to thuhet se Obama po i kërkonte zotit Sarkozy që të votonte në favor të rezolutës palestineze për anëtarësim të plotë në UNESCO, e cila u aprovua pavarësisht kundërshtimeve publike të Amerikës.

Deklaratat tregojnë gjithashtu mungesën e besimit të Perëndimit tek lideri izraelit, që mund të sjellë komplikime të mëtejshme për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA