“Lufta me Iranin vazhdon“, Netanyahu sfidon Iranin: Do vazhdojmë ta shtypim regjimin. Teherani kërkon garanci për paqe Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike publikoi raportin prej 25 faqesh për Iranin, sipas të cilit ky vend ka kryer teste të përshtatshme për zhvillimin e armës bërthamore.
Në dokumentin, e cilësuar nga analistët si më i ashpëri, flitet për përpjekje, por në asnjë rast nuk thuhet se Teherani po zhvillon bombën atomike.
Korrespondentja e BBC-së në Vjenë tha se raporti jep informacion të detajuar edhe të ri, se Irani po krijon kompjutera të cilët mund të përdoren për krijimin e armës bërthamore.
Disa prej kërkimeve të bëra gjatë viteve 2008-2009 janë shumë shqetësuese.
Raporti nxjerr në pah dimensione ushtarake të programit bërthamor, madje vazhdimin e disa prej aktiviteteve, për të cilat është ndihmuar nga një ekspert i huaj, që ishte në dijeni të këtyre teknologjive, dhe që kishte punuar për programin e armëve bërthamore në vendin e tij.
Mediat flasin për shkencëtarin rus Viacesllav Danilenko.
Përpara publikimit të raportit, Izraeli lëshoi paralajmërimin e rradhës, duke qartësuar se nuk ka nevojë për dritën jeshile të SHBA-së, për të ndërmarrë një sulm kundër impianteve bërthamore të Iranit.
Ndërsa fill pas publikimit të raportit të ANEA-s, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland tha se Uashingtoni do të marrë kohën e nevojshme përpara se ta komentojë. “Nuk jemi të gatshëm për të folur për hapat e ardhshëm”, shtoi ajo.
Më herët, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad kritikoi ashpër Agjensinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ANEA duke thënë se po ndjek një axhendë pro-amerikane.
Top Channel