Agjensia Bërthamore e OKB-së (IAEA) informoi të martën se ka informacione të besueshme mbi zhvillimin e një insfrastruktore të prodhimit të armëve atomike nga Irani.
Sipas korrespondentëve, ky është raporti që përdor gjuhën më të ashpër ndonjëherë dhe duket se përligj mundësinë e përfolur të një ndërhyrje ushtarake izraelito-perëndimore ndaj vendit të madh arab.
Sipas Agjensisë, ekspertët e saj kanë zbuluar sisteme kompiuterike që Irani nuk duhet t’i kishte nëse do të ishte i interesuar vetëm për zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime civile.
Për momentin nuk është ende e qartë se çfarë sistemesh u referohet IAEA. Megjithatë, në raport përdoret termi “tepër shqetësues” për zhvillimet që janë duke ndodhur në Iran.
Javën e shkuar, Presidenti i Izraelit, Simon Peres, pranoi për herë të parë që një sulm ushtarak ndaj Iranit është një mundësi reale, duke ngjallur një stuhi të vërtetë mediatike.
Ahmadinejad: Irani është gati për luftë
Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, deklaroi se vendi tij nuk ka
nevojë për ndërtimin e bombave bërthamore dhe se është i gatshëm t’i
përgjigjet çdo agresioni, disa ditë pasi në media janë përhapur fjalë
për një sulm të afërt nga Izraeli dhe forcat perëndimore.
Teherani ka krijuar një tension të madh në zonë nëpërmjet ambicieve të tij bërthamore. Në një deklaratë për Agjensinë Iraniane të Lajmeve, Ahmadinejad u shpreh se “Irani nuk ka nevojë për bomba”, por shtoi që “SHBA do të pendohet rëndë për çdo ndërhyrje të mundshme ndaj vendit tonë”.
”Nëse SHBA dëshiron të përballet me kombin e Iranit, ju garantoj që përgjigja jonë popullore do ta bëjë të pendohet rëndë. Gjithashtu, ata gabohen rëndë nëse mendojnë që duke ushtruar presion mbi ne do të ndryshojnë situatën nëpër botë. Ata thonë që jemi duke ndërtuar një bombë bërthamore, por ne nuk kemi nevojë për armë të tilla. Ajo për të cilën kemi nevojë është të veprojmë qetësisht dhe me logjikë”, u citua Ahmadinejad në median vendase.
Pavarësisht përgënjeshtrimit mbi ambiciet bërthamore, ekspertët e kanë cilësuar këtë deklaratë si një manovër për të fituar kohë. Agjensia Bërthamore e OKB-së pritet të konfirmojë më vonë gjatë javës zhvillimin e një arsenali nuklear luftarak prej Teheranit.
Të enjten e shkuar, Presidenti i Izraelit, Simon Peres, pranoi në një të përditshme se “lufta me Iranin është një mundësi reale”. Ai shtoi se “ekziston përshtypja se ata janë gjithmonë e më pranë ndërtimit të bombës”.
Ndërsa mundësia e një konflikti izraelito-iranian ka vendosur në alarm kancelaritë më të mëdha në botë, Moska është treguar e shpejtë për të treguar qëndrimin e saj kundër kësaj ndërhyrje.
”Një ndërhyrje në Iran do të ishte një gabim i rëndë dhe do të krijonte ndërlikime të paparashikueshme”, deklaroi Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, në një komunikatë të publikuar të hënën.
Top Channel