Me Italinë nën presion gjithmonë e më të madh nga vendet e Eurozonës për zbatimin e reformave të domosdoshme, mundësia e krijimit të një qeverie teknike sipas stilit grek po bëhet gjithmonë e më reale.
Ditën e martë, aleati kryesor i Berlusconit, Umberto Bossi, iu bashkua zërave që kërkojnë largimin e 74-vjeçarit nga detyra e Kryeministrit. Ndërsa thirrjet e mëparshme janë injoruar, duket e vështirë që kjo të ndodhë edhe me Bossin, njeriun që me deputetët e tij i jep shumicën Berlusconit në parlament.
Për Italinë, nuk do të ishte hera e parë që shkohet në qeveri teknike, popullore edhe në kriza të mëparshme ekonomike, si ajo e fillimit të viteve 1990. Ndërkohë, me fundin e epokës Berlusconi që duket shumë pranë, shtrohet pyetja se cili mund të jetë Kryeministri i ardhshëm i Italisë.
Mario Monti
Ish-Komisioneri Europian i Konkurrencës është një prej emrave më të lakuar. Në këtë detyrë, të cilët e mbajti ndërmjet viteve 1999-2004, ai fitoi nofkën “Super Mario”, për vendosmërinë me të cilën luftoi bankat e fuqishme rajonale gjermane dhe bashkimin e kompanive “General Electric” me “Honeyëell”.
Kredencialet e tij në Bruksel kanë origjinë që në mesin e viteve 1990, pasi shërbeu në periudhën 1995-99 si Komisioner i Tregut të Brendshëm dhe Shërbimeve. Aktualisht 68 vjeç, profesori Lombard i ekonomisë zotëron mbështetjen e figurave të mëdha politike italiane, si Gianfranco Fini dhe konsiderohet si një prej ekspertëve financiarë më të mirë në Europë.
Gianni Letta
I konsideruar gjerësisht si krahu i djathtë i Berlusconit, nëse Kryeministri do të largohet, Letta do të ketë avantazhin e mbështetjes së partisë më të madhe në vend. Një ish-gazetar dhe prezantues televizi, Letta ka qenë shefi i kabinetit të Berlusconit në tre prej qeverive të tij.
Lidhjet e 76-vjeçarit me Berlusconin datojnë që në fillimin e viteve 1980, kur ai u shndërrua në një biznesmen duke iu bashkuar grupit “Fininves”. Në vitin 2006, ai humbi në garën për president të Italisë, ndaj ish-drejtuesit të partisë komuniste, Giorgio Napolitano.
Angelino Alfano
Një prej “premtimeve” të politikës italiane, 41-vjeçar, Alfano ka avantazhin e energjisë dhe karizmës, ndërsa në rolin e Ministrit të Drejtësisë, është shndërruar në Ministrin më të ri në historinë moderne të Italisë.
Në të shkuarën, është vendosur shpesh nën presion nga mediat, për faktin që u bë nismëtar i një ligji që pengoi një ndjekje penale për Berlusconin në vitin 2009.
Një ndjekës besnik i Berlusconit që prej mesit të viteve 1990, avokati siçilian u shndërruar në lider të Partisë së Lirisë këtë verë, pasi partia e tij humbi në zgjedhjet vendore në Milano dhe Napoli, dy ish-bastione të këtij krahu politik.
Renato Schifani
Ashtu si kolegu i tij Alfano, Kryetari i Kuvendit është një avokat në profesion dhe prej kohësh besnik i Kryeministrit Berlusconi. Në vendin që mban, Schifani do të shndërrohej automatikisht në president të vendit në rast të vdekjes së 86-vjeçarit Napolitano.
61-vjeçar, Schifani gëzon disa avantazhe. Ai zotëron përvojën e mjaftueshme dhe njëkohësisht, është aq i ri sa duhet për të udhëhequr një qeveri teknike në këtë situatë të vështirë. Megjithatë, pritet të jetë e vështirë që opozita të miratojë këtë alternativë, pasi ashtu si Alfano dhe Letta, edhe Schifani është një bashkëpunëtor i ngushtë i Berlusconit.
Top Channel