Fatjon Fekaj e kaloi 15 gushtin duke prerë gurë. Nuk ishte ankuar edhe pse puna ishte e lodhshme.
Drivan Guri bëri disa rrugë me furgonin e tij për nevojat e fshatarëve të Krepckës; Emiljano Guri kishte punuar në perimoren e shtëpisë; Vladimir Dylellari ishte marrë me jonxhën. Rreth orës 7, Edison Cuko dhe Xhuljo Hallko i telefonojnë shokut të tyre për të kaluar mbrëmjen në Corovodë, vetëm 5 kilometra larg, pas një dite rraskapitëse në fshatin me bukuri të rrallë.
Shtegu që lidh Krepckën me Corovodën kalon buzë kanioneve të Osumit. Pamja është një mrekulli. Djemtë ishin mbi fuoristradën e Vladimirit dhe po përshkonin të njëjtën rrugë që kishin bërë gjithë jetën e tyre. Të gjithë të rinj, të gjithë me ëndrra, shumica të parealizuara. Të nesërmen ata do të niseshin për festën tradicionale në Tomorr. Në kthesën ku pamja është më e bukur se në çdo pikë të rrugës, e njëkohësisht humnera më e thellë, Dylellari humbet kontrollin e mjetit dhe “fluturon” bashkë me shokët mbi 200 metra drejt hiçit. Në fshat, murtaja do të kishte qenë më pak e dhimbshme.
Krepcka dikur ishte një fshat me 80 shtëpi, por lëvizjet e popullsisë e çuan në më pak se 20. Aksidenti i 15 gushtit e shuajti çdo shpresë për një të ardhme aty. Gjysma e atyre që humbën jetën ishin djem të vetëm.
“Fshati është shuar pothuajse. Nuk ke kujt t’i thuash për ndonjë hall sepse kemi mbetur vetëm ne që jemi moshë e madhe”, shprehet babai i Fatjon Fekës.
Fatjon Feka kishte katër muaj që ishte kthyer nga Greqia. Ai punonte me të atin. Emigrimi ishte sakrificë pas sakrifice për të.
“Fatjoni ka mbaruar shkollën e mesme për Ekonomi-Biznes në Vlorë. Nuk pranoi të vazhdonte shkollën e lartë sepse donte të punonte në mënyrë që të vazhdonte studimet motra më e vogël”, shprehet i ati i Fatjonit.
Emiljano Guri po kalonte verën në fshat, por jetonte në Tiranë sepse donte të vazhdonte shkollën.
Tek shtëpia ngjitur presin ngushëllimet prindërit e Drivan Gurit, 28 vjeç. Ai ishte motorri i fshatit. Furgoni i tij ku ka kaluar çdo njeri, mall apo hall i Grepckës nuk do të dalë më nga parkingu.
“Kjo është një tragjedi që na ka prekur thellë dhe do të kujtohet edhe nga brezat e ardhshëm të fshatit tonë”, thekson një banor i zonës.
Dhimbja që ka pllakosur çdo shtëpi është e dukshme. Lotët e vajit dhe pengjet mbizotërojnë fytyrat e atyre që do të duhet të jetojnë pas kësaj. Askush nuk e di se si do të gdhihen nesër banorët e këtij vendi.
“Ishim tre familje që i kishim djem të vetëm. Do të mundohemi që dhimbjen ta kthejmë në forcë dhe do të vazhdojmë të punojmë. I lutemi Zotit vetëm që të na mbajë mendjen”, thotë i pikëlluar i ati i Fatjonit.
Një brez i tërë u zhduk pas një kthese, askush nuk ka fuqi as të kërkojë shpjegime. Janë gjashtë ëndrra të ndërprera në Grepckë dhe një makth kolektiv i vazhdueshëm.
Top Channel