Shakaja e dorëheqjes së Berlusconit

07/11/2011 23:49

Një ditë e ethshme kjo e sotmja për kryeministrin italian, Silvio Berlusconi. Gazetari Giuliano Ferrara, drejtor i gazetës “Il Foglio”, ish-zëdhënës dhe ish-ministër i një prej qeverive të kryesuara nga Berlusconi, përhapi lajmin e dorëheqjes së afërt të numrit një të qeverisë së Romës.

Menjëherë pati një reagim pozitiv të bursave, të cilat regjistruan përmirësime të ndjeshme deri sa mbërriti përgënjeshtrimi zyrtar.

Berlusconi do të kërkojë votëbesimin në Parlament, sepse dëshiron të shohë në fytyrë tradhëtarët. Pas përuljes që pësoi në Cannes gjatë samitit të G20, ku u vendos që Italia të monitorohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në procesin e zbatimit të masave kundër krizës, pati disa largime deputetësh nga koalicioni në pushtet.

Madje edhe disa prej eksponenteve politikë më afër kryeministrit, duket se janë pro dorëheqjes së tij.

Tani për tani, në pritje të zhvillimeve të reja ka pesë skenare të mundshëm: I pari është vazhdimi i qeverisjes me ministrat aktuale nëse Berlusconi arrin të marrë votëbesimin, mundësia e dytë është krijimi i një qeverie të drejtuar nga një prej besnikëve të kryeministrit aktual ku të futet edhe Bashkimi Demokristian.

Hipoteza e tretë është krijimi i një qeverie teknike te drejtuar nga ekonomisti Mario Monti, e katërta krijimi i një qeverie të bashkimit Kombëtar.

Hipoteza e fundit, mund të jetë dorëzimi i Berlusconit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme të cilat gjithsesi nuk mund të zhvillohen përpara janarit të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA