Në selinë e Partisë Socialiste ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimit përmes të cilave 1500 delegatët në kongresin e kësaj partie votuan për asamblenë kombëtare.
Nga numërimi do të mësohen emrat e 121 antarëve të rinj të asamblesë. Delegatët socialistë votuan një listë me 186 kandidatë, ku 80 do të jenë burra dhe 41 gra.
Procesi i numërimit ishte planifikuar të zhvillohej dje, por drejtuesit e PS e panë të udhës shtyrjen për ditën e sotme meqënëse dje festohej Kuban Bajrami.
Për këtë qëllim kutitë e votimit pasi u dyllosën u transportuan nga holli i Pallatit të Kongreseve në selinë rozë. Procesi i numërimit është relativisht i gjatë dhe i paparashikueshëm se kur mund të përfundojë.
Pritet me interes për të mësuar se kujt ia kanë besuar votën e tyre delegatët sociliastë, pasi në fletëvotimi ata patën mundësi të votojnë për emra të rinj të propozuar, por edhe për disa të rikthyer në këtë forum të lartë drejtues.
Kongresi i zhvilluar fundjavën e kaluar entuziazmoi anëtarët e Partisë Socialiste, të cilët u shprehën se nga ky eveniment dilnin më të bashkuar se kurrë.
Por mes tyre pati edhe skeptikë, si deputeti Arben Malaj, i cili paralajmëroi rrezikun e kapjes së partisë më të madhe të opozitës.
“Bojkoti duhet të zhduket si instrument i luftës politike. Të ruajmë partitë politike nga fenomeni i “kapjes së tyre””, deklaroi Malaj.
Ndërsa deputeti tjetër Ben Blushi, i distancuar prej kohësh nga politika e lidershipit socialist, vlerësoi se me programin e saj të paraqitur në kongres, PS u kthye në rrugën e duhur.
“PS sot tregoi që ka filluar të mendojë dhe kjo nuk është pak për një parti, që në 3 vitet e fundit ka dëshmuar një vakum idesh. Ky është një kthim tek idetë, pavarësisht se vonë. Kemi pasur aksion, por jo mendim”, deklaroi Blushi.
Top Channel