Japoni, incident me peshkarexhën kineze

07/11/2011 15:15

Japonia arrestoi kapitenin e një peshkarexhe kineze, pasi ajo hyri në mënyrë të paautorizuar në ujrat japoneze gjatë ditës së hënë.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji dhe nuk do të shërbejë për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara midis dy shteteve. Sipas versionit të Tokios zyrtare, mjeti lundrues ishte duke udhëtuar në jug të ishujve Goto dhe nuk kishte pranuar të kthehej dhe të ndalonte për kontroll, pas paralajmërimeve të rojës bregdetare.

Kapiteni 47-vjeçar rrezikon deri në gjashtë muaj burg, nëse dënohet për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Sekretari i kabinetit japonez, Osamu Fujimura, hodhi poshtë çdo ndërlikim të mundshëm me Pekinin, ndërsa tha se do të trajtojë këtë çështje në mënyrë të zakonshme, ashtu siç e parashikon ligji vendas.

Kina u shndërrua në partnerin kryesor tregtar të Japonisë në vitin 2009, por marrëdhëniet politike midis dy superfuqive aziatike kanë qenë gjithmonë të tensionuara. Pekini nuk ka komentuar ende rreth ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA