Një general amerikan dhe një prej drejtuesve kryesorë të misionit në Afganistan është shkarkuar nga detyra e tij, pasi bëri komente ofenduese ndaj autoriteteve të Kabulit.
Gjeneral-majori Peter Fuller, numri dy i NATO-s në vend dhe përgjegjësi kryesor për stërvitjen e trupave afgane të mbrojtjes, deklaroi në një intervistë se “lidershipi i vendit është tërësisht i izoluar nga realiteti”.
Duke folur për presidentin Karzai, ai shtoi se shpresonte që të humbte në zgjedhjet që do të mbahet së afërmi dhe se “afganët mendojnë që SHBA është e mbushur me florinj dhe gjithçka është si Hollivudi. Ata nuk e kuptojnë sakrificën që ne bëjmë për të vendosur paqen në shtëpinë e tyre”.
Nuk është e qartë nëse Fuller është liruar përfundimisht nga detyra apo nëse thjesht do të transferohet në një pozicion tjetër. Departamenti i Shtetit, nëpërmjet një deklaratë, përcaktoi se “pikëpamjet e gjeneralit nuk ndajnë qëndrimin zyrtar të SHBA-së dhe nuk cënojnë marrëdhëniet e miqësisë që ekzistojnë midis dy shteteve”.
Në një incident të mëparshëm, gjenerali Stanley McChrystal u detyrua të jepte dorëheqjen si komandant i forcave amerikane në Afganistan në qershor 2010, pasi kritikoi publikisht disa funksionarë të lartë të administratës Obama.
Top Channel