Tre doganierë dhe katër shtetas të tjerë janë arrestuar mëngjesin e së dielës në Durrës, në kuadrin e një operacioni anti-kontrabantë të quajtur “Siguria”.
Ndërhyrja e policisë u realizua pas sigurimit të provave se të arrestuarit kishin futur në Shqipëri 51.5 mijë litra karburant kontrabandë, përmes dy autobotëve për llogari të dy pikave të karburantit në Shkodër e Fier.
Tre doganierët e arrestuar janë shtetasit Ylli Troplini, Artur Mustafa dhe përgjegjësi i turnit në doganën e “Romano Port”, Selman Doçi, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe favorizim të kontrabandës me mallra të akcizës.
Ndërkohë, të arrestuarit e tjerë janë Klodian Cullhaj me detyrë agjent doganor, Lauret Bega me detyrë magazinier i “Europetrol”, Afrim Meçe, drejtues i autobotit me targa të Shkodrës dhe Pëllumb Metollari drejtues i autobotit me targa të Fierit.
Autobotet me karburantin kontrabantë janë dërguar nga drejtuesit e tyre përkatësisht në një pikë të karburantit të firmës “Elda” në Shkodër, ndërsa mjeti tjetër i transportit të lëndës së djegshme e ka depozituar sasinë e tij në një pikë karburanti në Fier.
Agjentët e antikrimit ekonomik të Durrësit kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin e shtatë shtetasve të cilët do të përballen me akuzat e ngritura, ndërsa vijojnë hetimet nga prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë kontrabandë nafte.
Pritet që firmat të cilat kanë favorizuar këtë kontrabantë të ndëshkohen gjithashtu.
Top Channel