Të paktën pesë persona, mes të cilëve tre civilë, janë vrarë ditën e shtunë nga forcat besnike të presidentit Bashar al Assad në Siri.
Në të njëjtën ditë, katër militantë besnikë të kreut të shtetit janë vrarë nga një grup ushtarësh dezertorë.
Lajmin e bëjnë të ditur organizatat humanitare të vendosura në Siri, të cilat vazhdimisht kanë ngritur zërin për masakrat që po bëhen në vend nga regjimi i Assad.
Organizatat njoftojnë gjithashtu se mes pesë personave të vrarë janë edhe dy ushtarë dezertorë, që kanë humbur jetën në një shkëmbim zjarri me besnikët e presidentit në Khan Shajkun.
Situata në Siri u duk se u qetësua pas njoftimit të disa ditëve më parë, se Assad pranoi planin udhërrëfyes të Ligës Arabe për t’i dhënë fund dhunës në vend.
Marrëveshja u arrit gjatë një samiti të mbajtur në Kajro, ku ishin të pranishëm disa prej liderëve më të rëndësishëm të botës arabe.
Por plani në fjalë nuk u zbatua nga presidenti, veprim ky që solli sërish protesta me viktima.
Vetë Assad paralajmëroi disa ditë më parë Perëndimin për një “tërmet” nëse ndërhyn në cështjet e brendshme të vendit të tij.
Top Channel