Edi Rama shpalos para kongresit platformen dhe programin e ri të
Partisë Socialiste. Ai mbrojti propozimin për një sistem të ri taksash,
dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, zgjidhjen e cështjes së pronave,
zhvillimin e turizmit, arsimit dhe sektorëve të tjerë.
Rama deklaroi se “vendimi i pare qe do te marrim ne parlament pas ardhjes ne pushtet do te jete anullimi i ligji i plehrave”. Rama tha se ky eshte nje projekt per 95 % te shqiptareve kunder nje qeverisjeje qe punon per 5 % te biznesit te oborrit te Sali Berishes.
Kreu socialist Edi Rama, në fjalën e tij deklaroi se në qeverinë e së nesërmes, të drejtuar nga Aleanca për te Ardhmen, nuk do të taksohen njësoj si qytetarët e thjeshtë ashtu edhe të pasurit.
“Po, Saliu i ka ulur taksat, por vetëm për veten e tij, për spikeren e kuvendit, për oborrtarët e tij, por jo për njerëzit e thjeshtë, ndaj të cilëve prej vitesh po bën padrejtësi. Saliu i shtrydh më të varfërit dhe fryn më të pasurit. Më i taksuar në vendin tonë është një infermier, që sot paguan 30 përqind më shumë taksa se më parë”, tha Rama.
Duke ftuar njerëzit që të besojnë te Aleanca për të Ardhmen, pasi nesër kjo Aleancë do të vendosë drejtësinë sociale, Rama premtoi se kush do të fitojë më pak, jo vetëm që do të taksohet më pak, por edhe do të ketë mbrojtje nga shteti.
Po ashtu Rama premtoi edhe heqjen e TVSH-së për produktet bazë si buka, qumështi, veza, si dhe për ilacet, për t’i ardhur në ndihmë kryesisht moshës së tretë, e cila sot jeton në kushte skandaloze dhe është e harruar nga shteti.
Kreu i PS-se u shpreh se qeveria mundohet kot ta gjunjëzojë opozitën, ta dobësojë Partinë Socialiste dhe ta mposhtë përmes shpifjeve dhe hedhjes së baltës.
“Duhet të jemi të vendosur të shkojmë përpara. Duke na sulmuar nga llogorja e pushtetit të regjimit, po na torturojnë përditë njerëzit, na vodhën votat dy herë, por nuk do të ketë një herë të tretë, sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë e kanë kuptuar se qeveria nuk është as e djathta dhe as në shërbim të Shqipërisë”, tha Rama. Kreu socialist theksoi se koha e Saliut ka mbaruar dhe sot shqiptarët po jetojnë vetëm në agoninë e qeverisjes së tij.
Duke falenderuar trupin diplomatik në Tiranë, për praninë në punimet e Kongresit, Rama iu drejtua fillimisht ambasadorit të BE-së Ettore Sequi, duke u shprehur se Europa për socialistët është një mënyrë e të qënurit në Shqipëri dhe se këtë mënyrë të ri të të qënit PS do ta bëjë realitet.
Me pas ai falenderoi edhe ambasadorin amerikan Arvizu,i pranishem ne salle: “Si partia më e madhe e shqiptarëve, siguroj në vullnetin e hekurt për t’i dhënë qeverisë aktuale mbështetje në cdo mision që angazhon Shqipërinë në kuadër të partneritetit strategjik. Kurse kur nesër të jemi në qeveri, SHBA do të gjejnë një partner të frymëzuar dhe vlerat e demokracisë amerikane në mirëqënien e popullit shqiptar. SHBA do të krenohen me ne për një nxënës të mirë në mes të Europës dhe në zemër të Ballkanit të të gjithë atyre që duan drejtësi, kushtetuetshmëri, liri te medias, vlerësim të meritës”.
Rama i përgjigjet analistëve
Kongresi i socialisteve vijon të zhvillojë punimet e tij, ndërsa kreu socialist Edi Rama ishte në një panel analistësh dhe përfaqësuesish të biznesit në studion e Top Channel, në Pallatin e Kongreseve për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
I pyetur për taksën progresive, Rama theksoi se socialistët propozojnë për një model tjetër ekonomik, për një ekonomi prodhuese.
“Ne duam të rrisim punësimin. Taksa e sheshtë ka rritur hendekun mes atyre që mezi arrijnë fundin e muajit dhe atyre që janë tepër të pasur. Programi e vendos biznesmenin në fokusin e vëmendjes, duke bërë të qartë se sot ka një komunitet biznesi që vuan pasojat e arbitraritetit. Ajo qe propozojme eshte një model tjeter ekonomik, ne duam te kalojme ne nje ekonomi prodhuese”, tha Rama.
Kreu socialist u shpreh se arsyet se përse PS fokusohet te fshati, nuk ka të bëjnë me modelin elektoral, por me modelin ekonomik që eshte zgjedhur.
“Baza e kësaj ekonomie prodhuese do të jetë prodhimi i fshatit, i cili do të krijojë më shumë mundësi për punë, do të rrisë cilësinë e mjedisit ekonomik dhe mjedisit natyror, si dhe do të krijojë kushte për një mjedis shumë të qëndrueshëm”, tha Rama.
Malaj: Të ruajmë partinë nga kapja
Deputeti socialist Arben Malaj, gjatë një pushimi të punimeve të kongresit të partisë, ka deklaruar se PS duhet të vijë në pushtet me një shumicë të tillë që të mund të veprojë.
“Bojkoti duhet të zhduket si instrument i luftës politike. Të ruajmë partitë politike nga fenomeni i “kapjes së tyre””, ka deklaruar Malaj.
Sipas tij, ideja e kryetarit Edi Rama për disiplinën formale nuk i shërben demokracisë. “Duhet ta mundim Berishën me një garanci që nuk do të kemi vetëm ndërrim karrigesh”, është shprehur Malaj.
Veliaj: Publiku, akses në programin tonë
Eksponenti i PS, Erjon Veliaj ka deklaruar se prezantimi i bërë sot është vetëm fillimi dhe jo fundi i programit politik të Partisë Socialiste.
Në një prononcim për Top Channel, Veliaj është shprehur se programi socialist do të hartohet duke iu dhënë akses në të qytetarëve.
“Do të ketë takime me bujqit dhe fermerët, të cilët do të japin mendimin e tyre. Po ashtu do të dëgjohen edhe personat që janë përfshirë në cështjen e plehrave, etj. Publiku do të ketë akses”, ka deklaruar Veliaj.
Veliaj ka nënvizuar se projekti i socialistëve synon marrjen e fondeve financiare nga BE, rishikimin e taksave dhe reformën në punësim.
“Projekti ynë synon marrjen e fondeve nga BE, të cilat aktualisht janë minimale për shkak të refuzimit të statusit të kandidatit, rishikimin e taksave dhe reformën në punësim, ku ata që quhen të vetëpunësuar, që janë fermerët që punojnë vetëm për të ushqyer familjen, të mund të kthehen në sipërmarrësit e ardhshëm”, ka pohuar Veliaj.
Brace: Kongresi do të na bashkojë
Deputeti Erjon Brace ka deklaruar se programi i Partisë Socialiste i paraqitur të shtunën në kongres i integron të gjithë.
Duke folur për TCH në një moment pushimi, Brace ka shprehur bindjen e tij se kongresi do të unifikojë të gjithë zërat brenda PS-së.
“Programi që u paraqit në kongres i integron të gjithë. Besoj se nga ky kongres do të dalim të gjithë të bashkuar, edhe me ata që mendojnë ndryshe”, ka deklaruar Brace.
Shqetësimi i vetëm për Bracen ka qenë lëvizja e anëtarëve të këshillave bashkiakë në qarqe, problem ky që sipas tij duhet të zgjidhet me ligj.
“Për fat të keq jemi të ndarë nga ata që veprojnë ndryshe. Kam parasysh këtu shitblerjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë në qarqe. Jam i shqetësuar për fenomenin e mosrespektimit të vendimmarrjes politike, për fenomenin e shitjes së votës”, ka pohuar Brace.
“Kjo është ajo që mua më ka bërë agresiv, pasi e vuajta në qarkun e Beratit. Kjo situatë duhet të marrë fund”, ka nënvizuar ai.
Më tej deputeti socialist ka mbrojtur atë pjesë të programit që parashikon taksa më të larta për më të pasurit dhe jo vetëm TVSH-në.
Kjo sipas tij, duhet të zgjidhë cështjen e kompanive abuzive që kanë marrë nën kontroll pasuritë kombëtare të vendit, kryesisht minierat.
“Tatimi progresiv duhet të shtrihet tek të pasurit, në mënyrë që buxheti i shtetit të plotësohet nga këto para që duhet t’u kthehen qytetarëve”, ka shtuar Brace.
Votohen programi, statuti dhe anëtarët e asamblesë
Kongresi ka vijuar me votimin dhe miratimin e programit të partisë dhe statutit. Katër deputetë bënë një shtjellim të 4 pikave kryesore, që janë: rimëkëmbja e ekonomisë, ripërtëritja e shoqërisë, rivendosja e demokracisë dhe bashkimi me Evropën. Gjithcka u mbyll me votimin e anëtarëve të asamblesë.
Top Channel