Një vit fiks nga dita e zgjedhjeve për Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barack Obama ka shpërndarë spotin e parë të tij elektoral.
Në spot gjithcka nis me fjalimin e tre viteve më parë në Cikago, menjëherë pasi ai u zgjodh si presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.
“Nuk do ta harroj kurrë se kujt i përket kjo fitore, ju përket juve”, tha atë mbrëmje Obama para qindra mijëra mbështetësve të mbledhur për ta dëgjuar.
Në të njëjtin fjalim, ai u shpreh gjithashtu se, punët që e prisnin për të bërë ishin të shumta. Presidenti Obama ka regjistruar së fundmi një ngritje të popullaritetit të tij në sondazhe.
Një anketë e zhvilluar pak ditë më parë nga kompania “Ipsos” tregonte se 49 për qind e amerikanëve, dy pikë më shumë krahasuar me tetorin, vlerësojnë se Obama po bën një punë të mirë.
Ndërsa kuota e amerikanëve që nuk bien dakord me politikën e ndjekur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk kishte lëvizur nga 50 për qind.
I njëjti sondazh sugjeronte se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara do të fitonte kundër të gjithëve, me përjashtim të Mitt Romney, me të cilin po zhvillon një duel kokë më kokë.
Rritje të popullaritetit të Barack Obama tregonte edhe sondazhi i kryer më parë nga gazeta “Washington Post” dhe televizioni “ABC”.
Gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në Shtetet e Bashkuara është ashpërsuar tej mase. Ajo po shoqërohet me akuza për agresion seksual ndaj një prej kandidatëve, ndërkohë që edhe mes atyre të të njëjtit krah debatet e zhvilluara kanë qenë të forta.
Top Channel