Kolumbi, vritet lideri i FARK

05/11/2011 00:00

Lideri i guerrilasve të krahut të majtë, FARK, Alfonso Cano është vrarë në një sulm të organizuar nga trupat ushtarake në një nga bastionet e tij.

Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti Juan Manuel Santos, i cili e ka vlerësuar operacionin si goditjen më shkatërruese ndaj grupit të rebelëve.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Juan Carlos Pinzon ka saktësuar se operacioni ndaj guerrilasve u krye në malet e Kolumbisë jug-perëndimore.

Forcat e sigurisë kanë vrarë një numër të konsiderueshëm komandantësh të FARK dhe kanë arrestuar shumë të tjerë në vitet e fundit.

Duke dhënë detaje të tjera për operacionin, ministri Pinzon ka deklaruar se forcat qeveritare në fillim bombarduan kampin e FARK në xhungël, në shtetin e Sausas.

Më pas trupat u ulën me litarë nga helikopterët që qëndronin në ajër dhe shkëmbyen zjarr me guerrilasit dhe Cano, i cili mbeti i vrarë bashkë me anëtarë të tjerë të FARK.

Pamje të liderit të vrarë, me mjekrën historike të tij të ruar, u transmetuan në televizionet kolumbiane.

“Kjo është goditja më shkatërruese që i është dhënë këtij grupi në historinë e tij. Unë dua t’i dërgoj një mesazh cdo anëtari të organizatës: shpërbëhuni, ndryshe do të përfundoni në burg ose në varr. Ne do ta arrijmë paqen”, ka deklaruar presidenti Santos.

Mësohet se Cano u gjurmua në kampin e xhunglës përmes përgjimit të telefonave nga disa aparatura speciale të qeverisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta