Tjetër flotë me ndihma humanitare drejt Gazës

04/11/2011 16:00

Aktivistë të të drejtave të njeriut, dhanë alarmin se kanë humbur kontaktin me anijen “Saorise” dhe “Tahrir”, pjesë e flotiljes me ndihma për palestinezët e Rripit të Gazës.

Aktivistët thonë se nuk po arrijnë të lidhen me ekuipazhet e dy anijeve, pavarësisht se i kanë përdorur të gjitha mënyrat mundshme.

Sipas tyre, anijet janë vendosur nën një “black out” komunikimi që në orët e paradites së premte, kur janë kontaktuar nga anije të flotës ushtarake izraelite.

Dy anijet, “Saorise” dhe “Tahrir” janë pjesë e aktivistëve pro-palestinezë që ofrojnë ndihma për Rripin e Gazas, zonë kjo që prej disa vitesh vuan bllokadën izraelite.

Një tentativë për t’iu afruar brigjeve të Gazas më 31 maj të 2010-s, nga gjashtë anije turke të organizatës “Gaza e Lirë”, përfundoi në tragjedi. 9 aktivistë, që të gjithë turq, mbetën të vrarë nga përleshjet me ushtarët izraelitë.

Incidenti pasoi me tensionim të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Turqisë, aq sa Ankaraja dëboi ambasadorin hebre dhe tha se Tel Avivi duhet të kërkonte ndjesë për “incidentin” në fjalë. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit, dikur aleatë strategjikë vijojnë të mbeten tepër të tensionuara me prishjen e një sërë marrëveshjesh dypalëshe, kryesisht në fushën ushtarake.

Por, ai që humbi më shumë nga ky tensionim duket se është Izraeli. Shteti hebre, pas rënies së Mubarakut në Egjipt, humbi një tjetër aleat në botën muslimane, c’ka vështirëson tej mase peshën e shtetit hebre në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA