Të “digjesh” nga kremi kundër diellit

04/11/2011 12:45

Kremi kundër diellit është i zakonshëm dhe i këshillueshëm për t’u përdorur në plazh, por ai mund të shkaktojë varësi dhe mund të bllokojë mënyrën natyrore të mbrojtjes nga rrezet, sugjeron një studim i publikuar të premten.

Nëse diçka e tillë ndodh, atëherë lëkura nuk do të mundë të tolerojë më as rrezatimet më të ulta, duke shkaktuar djegie të menjëhershme nëse nuk përdoret sërisht kremi.

Shkencëtarët e një universiteti britanik arritën të zbulonin se lëkura e njeriut është e pajisur me disa sensorë nervorë, të cilët vendosin trupin në alarm dhe shkaktojnë një kundërveprim mbrojtës, në rastin kur ai ekspozohet nga rrezet e dëmshme të diellit.

Këta receptorë, të cilët gjenden edhe në retinën e syrit, reagojnë në këto raste duke lëshuar një substancë të quajtur melaninë, e cila përthith rrezet dhe mbron trupin nga djegiet dhe agjentët kancerogjenë.

Megjithatë, prodhimi i melaninës ka gjasa të pakësohet ose të ndërpritet përfundimisht, për shkak të përdorimit të kremit të plazhit, sidomos në përdorimin e kremrave me elementë më të lartë mbrojtës nga sa është e nevojshme.

Një nga mënyrat për të reduktuar mundësinë që mbrojtja natyrale të “çaktivizohet” është duke u këshilluar me farmacistin për llojin e përdorimit të kremit të plazhit, por kjo vetëm sa do të ulë rrezikun, sepse disa lloj organizmash, gjithsesi do të reagojnë ndaj çdo lloj kremi duke ulur prodhimin e melaninës, theksoi studimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA