Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë ka prezantuar buxhetin e vitit 2012, duke deklaruar se ai është më i madhi në historinë e vendit.
“Ky është buxheti më i madh në histori. Ai është hartuar bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve makroekonomikë”, ka deklaruar Berisha.
Kryeministri ka rikonfirmuar zotimin e qeverisë së tij se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të borxhit publik, por vetëm ulje të tij.
“Sic jemi zotuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij. Nuk mund të ketë rritje të deficitit buxhetor, por vetëm ulje të tij. Nuk ka dhe nuk mund të ketë parashikime të tjera përvec se atyre me praktikën më konservatore”, ka theksuar Berisha.
Kreu i ekzekutivit ka nënvizuar se buxheti i vitit të ardhshëm bazohet në një objektiv “madhor”, sic është rritja e rrogave dhe pensioneve.
“Ne kemi vendosur ta bazojmë buxhetin tek objektivat tanë më madhorë, tek rritja e rrogave dhe pensioneve. Kjo rritje përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit në burimet njerëzore. Ne do jemi vendi i vetëm në Evropë që do të rrisë rrogat dhe pensionet në këtë periudhë krize”, ka pohuar Berisha, duke ftuar opozitën që ta votojë këtë rritje.
“Uroj që të biem dakord në Parlament dhe kësaj radhe, pasi kanë votuar nga 2005-a e deri më sot kundër rritjes së tyre, ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë në favor të kësaj rritjeje”, është shprehur kryeministri.
Prioriteti tjetër i shpallur nga kryeministri është investimi në infrastrukturë, vecanërisht në rrugët e vendit, si dhe në sektorin energjitik.
“Rrugët kanë nevojë për më shumë investime. Do bëjmë investime në rrugë derisa të bëjmë që cdo shqiptar, aty ku jeton, të arrijë në Tiranë duke kursyer jo më pak se 60 për qind të kohës, ose në një hark kohor prej 2 orë ose 2 orë e gjysmë. Do të shpenzojmë për rrugët rreth gjysmë miliard dollarë”, ka shtuar Berisha.
Top Channel