Siri, tanke për të shpërndarë revoltat

03/11/2011 16:55

Predha tanqesh dhe mitroloza janë përdorur për të shpërndarë turmat e protestuesve ditën e enjte në qytetin sirian të Homsit, bënë të ditur burime të aktivistëve.

Shpërthimi i dhunës vjen 24 orë pasi të mërkurën u arrit një marrëveshje midis Damaskut zyrtar dhe Ligës Arabe, plan që duhet të sillte paqen në vend dhe të largonte forcat e ushtrisë nga qytetet.

Sipas dëshmitarëve pamorë, një prej lagjeve të Homsit është dëmtuar veçanërisht rëndë, me shenja të dukshme të goditjeve me predha nëpër pallatet shumëkatëshe dhe me disa banesa të shembura. Raportime të pakonfirmuara flasin për tre viktima, por dinamika e ngjarjes bën të besohet për një bilanc tragjik disa herë më të lartë.

Plani i arritur të mërkurën bënte lëshime të mëdha për opozitën, madje përfshinte klauzola për më shumë liri të medias dhe për lirimin e disa prej të burgosurve politikë. Megjithatë, sipas grupimeve opozitare, një veprim i tillë është vetëm një taktikë e qeverisë për të fituar kohë.

Që prej fillimit të revoltave në mars, më shumë se tre mijë persona kanë mbetur të vrarë në përleshjet me forcat e policisë, në të njëjtën kohë që me qindra konsiderohen të zhdukur.

Qeveria e presidentit Assad, njeriu që trashëgoi pushtetin nga babai i tij në vitin 2000, thotë se përleshjet janë vepër e “bandave të armatosura” dhe “terroristëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA