“Ne nuk duam të përzihemi në politikën e Greqisë, por duhet ta mbrojmë Europën dhe eurozonën. Nëse euro shpërthen, po kështu edhe Europa”.
Më herët, Presidenti amerikan, Barak Obama paralajmëroi se duhet ende shumë punë, që eurozona të gjejë zgjidhjen e krizës financiare, e cila rrezikon të përhapet në të gjithë botën. Duke folur përpara takimit të G20-s në Kanë, ai shpjegoi se cështja më e rëndësishme në axhendë janë problemet europiane.
Për Obamën, detyra kryesore në dy ditët e ardhshme është zgjidhja e krizës financiare në Europë. Një nga cështjet kryesore që do të diskutohet gjatë takimit të ekonomive më të mëdha të botës është plani për të inkurajuar ekonomitë e pasura në zhvillim, për të zgjeruar Fondin Europian të Shpëtimit.
Megjithatë, Kina e bëri të qartë të enjten se nuk do të përfshihet në këtë plan deri në qartësimin e situatës në Greqi.
Shqetësimet e të mëdhenjve të ekonomisë botërore, reflektojnë në tregjet e letrave me vlerë. Italia dhe Spanja janë të detyruara të paguajnë norma më të larta interesi për të marrë hua miliarda euro. Shumë ekonomistë parashikojnë se nëse Greqia del nga euro, kjo mund të cojë në infektimin financiar ndërsa investitorët dhe depozituesit e zakonshme të bankave në vendet e eurozonës mund të ndjejnë frikë se qeveritë e vendeve të tyre do të bëjnë të njëjtën gjë.
Por sytë e të gjithëve janë përqendruar te Italia, ekonomia dhe borxhet e këtij vendi janë më të vogla se ato të Greqisë. Italia e ka shumë të vështirë të marrë hua në tregjet financiare.
Sic raporton BBC, gjashtë ish-aleatë të Silvio Berluskonit, deputetë në parlamentin italian i kërkuan atij të japë dorëheqjen pasi qeveria e tij nuk arriti të gjejë gjuhën e përbashkët për reformat ekonomike.
Letra për dorëheqjen është firmosur nga Roberto Antonione, Isabella Bertolini, Xhiustina Destro, Fabio Gava, Xhiancarlo Piteli dhe Xhorxhio Srakuadanio.
Sarkozi vlerëson planin italian për daljen nga kriza
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka vlerësuar masat planin e veprimit të qeverisë italiane për daljen nga kriza financiare.
Sarkozi tha se plani i hartuar nga qeveria e Silvio Berluskonit është i duhuri, por tashmë duhet vënë në zbatim dhe aty do të shihet efektiviteti i tij.
“Kryeministri Berluskoni na informoi me planin e masave anti-krizë, plane të cilin e pritëm me mjaft interes. Por tashmë ajo që ka rëndësi është zbatimi i tij për të parë se sa efekt do japë për daljen e Italisë nga kriza”, tha Sarkozi në përfundim të ditës së parë të punës së samitit të G20-s që po mbahet në Kanë të Francës.
Top Channel