
Presidenti amerikan Barack Obama po shqyrton situatën e eurozonës me
homologun francez Nicolas Sarkozy dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë po informohet mbi takimin që dy liderët evropianë zhvilluan dje me kryeministrin grek Jorgo Papandreu.
Presidenti amerikan, i shoqëruar nga sekretari i Thesarit, Timothy Geithner, ka përfunduar takimin me Sarkozy, ndërkohë që pas pak do të takohet me Merkel.
Nga ana e saj, dyshja franko-gjermane ka shprehur seriozitetin e samitit të G20, duke folur prerë para gazetarëve dhe duke mos u dhuruar atyre as edhe një buzëqeshje.
“Prioritet është euroja, jo Greqia”, kanë thënë ata në prag të nisjes së punimeve të samitit të Kanës. Presidenti francez është shfaqur i indinjuar, ndërsa kancelarja Merkel e inatosur më shumë se ai.
I ndodhur në minimumin e popullaritetit, i sfiduar nga socialistët që kanë zgjedhur Francois Hollande si kandidatin e tyre për presidencialet e ardhshme dhe me francezët e dëshpëruar nga kriza, Sarkozy shpresonte se zhvillimi i samitit në Francë do të përmirësonte imazhin e tij.
Super-Sarkoja i vitit 2007 është vetëm një kujtim. Tashmë presidenti shpreson vetëm tek vajza e tij e sapolindur, Julia, për të bindur ndonjë francez që ta ndihmojë të qëndrojë mbi podium.
Top Channel