Britania, në rrezik nga recesioni i dytë

03/11/2011 09:45

Ekzistojnë mundësi të mëdha që Mbretëria e Bashkuar të kthehet në recesion, edhe nëse liderët e eurozonës gjejnë një zgjidhje për krizën e borxhit.

Kështu thotë një raport i hartuar së fundmi nga Instituti Kombëtar për Studime Ekonomike dhe Sociale.

Sipas raportit, nëse zgjidhja gjendet shpejt, gjasat që Britania të kthehet në recesion janë 50 për qind, ndërkohë që nëse liderët vijojnë me mosmarrëveshje, ato janë 70 për qind.

Kjo, pasi pothuajse gjysma e eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar u shkon vendeve anëtare të eurozonës.

Liderët e vendeve anëtare të grupimit G20 do të takohen më vonë gjatë së enjtes për të diskutuar posacërisht mbi krizën e borxhit.

Instituti i studimeve deklaroi se cilido që të jetë rezultati i këtij takimi, Britania e Madhe do të kthehet gjithësesi në recesion nga fundi i vitit 2012.

“Ka një rënie të kërkesës nga konsumatorët dhe investitorët, por rreziku më i madh vjen nga thellimi i krizës së borxhit në eurozonë”, tha drejtuesi i institutit, Jonathan Portes.

Ai i bëri thirrje qeverisë që të rishikojë politikën e saj të shkurtimit të fortë të shpenzimeve duke pasur parasysh rënien e kërkesës.

“Impakti i politikës së fortë fiskale të qeverisë ka qenë negativ. Më tej, ata duhet të dobësojnë gradualisht këtë politikë për të ndihmuar rritjen ekonomike”, nënvizoi Portes.

Të dhënat e fundit financiare të publikuara këtë javë tregojnë se ekonomia në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 0.5 për qind mes korrikut dhe shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA