
Zyrtarë të rëndësishëm të Partisë Laburiste në Australi kanë mohuar me
indinjatë zërat për një komplot për rrëzimin nga pushteti të
kryeministres Julia Gillard.
Gazeta australiane “Daily Telegraph” shkruante se eksponentë të pakënaqur brenda laburistëve po planifikonin ta zëvendësonin zonjën Gillard me ish-liderin Kevin Rudd.
Ministri Stephen Conroy ka deklaruar se gazeta po lobonte kundër laburistëve dhe i ka sugjeruar opinionit publik që ta lexojnë atë vetëm për faqet sportive.
Zoti Rudd, që aktualisht është në postin e ministrit të Jashtëm, ka deklaruar nga ana tjetër se është i kënaqur me detyrën e tij.
“Sic e kam thënë edhe 1 mijë herë më parë, unë jam shumë i lumtur si ministër i Jashtëm. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, ka deklaruar Rudd.
Rudd u zëvendësua si kryeministër nga zonja Gillard pas një lëvizjeje brenda partisë para zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën vitin e kaluar.
“Daily Telegraph” shkruante se tani, Rudd po këshillohet nga aleatët e tij se si të rrëzojë kryeministren.
Një burim brenda partisë në pushtet, që ka preferuar të mbetet anonim, tha për gazetën se aktualisht tre gjëra janë të sigurta.
“Ka një sfidë për lidershipin, Rudd nuk ka ende shumicën por ka aq numra sa duhet për të sfiduar, dhe po qarkullojnë disa strategji se si kjo lëvizje të bëhet”, deklaroi burimi.
Por deputetët laburistë i dhanë mbështetjen e tyre zonjës Gillard, që në javët e fundit është detyruar të mbrojë disa herë lidershipin e saj.
Top Channel