“Rilindja Shqiptare”, programi i PS

03/11/2011 19:30

Pas prezantimit pak ditë më parë nga lideri Edi Rama, Partia Socialiste ka publikuar projektin final të programit të saj, titulluar “Për një Rilindje shqiptare”. 

Në dokumententin me 90 faqe, Partia Socialiste e ndërton programin mbi katër kolona kryesore, që janë: rimëkëmbja e ekonomisë, ripërtëritja e shoqërisë, rinvendosja e demokracisë dhe ribashkimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Për socialistet, të katërta shtyllat janë një sipërmarrje e jashtëzakonshme. Por, siç theksohet në  projektin e programit, Partia Socialiste është e bindur se në këtë sipërmarrje nuk do të jetë e vetme, por do të këtë në krah të saj kontributin dhe energjinë e çdo shqiptari, që dëshiron një rilindje të vendit. Ndaj që ne hyrje te programit socialistet shprehen te sigurt se do të arrijnë te ndryshojnë të ardhmen e atdheut.
Drafti nis me ekonominë, që sipas partisë socialiste po degradon cdo ditë e më shumë dhe gjithmonë e më shumë po i lë shqiptarët të papunë. Ndaj opozita premton hapjen e 75 mijë vendeve të reja të punës në vit, që do të thotë 300 mijë vende të reja pune në mandatin e saj të parë.

Kjo, sipas Partise Socialiste realizohet përmes krijmit të një modeli të ri ekonomik për zhvillimin e vendit, i cili synon kalimin nga një ekonomi bazuar tek konsumi i mallrave të importuara, emigracioni dhe informaliteti, tek një ekonomi që bazohet tek puna, prodhimi vendas dhe rritja e produktivitetit.

Për këtë, Partia Sociliste synon të ndërmarrë një sërë reformash rrënjësore. Së pari ndryshimin rrënjësor të politikës fiskale, që sipas Partisë Socialiste do të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik e social. Programi parashikon uljen e kostos së jetesës për 95% të popullsisë, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi sociale përmes tatimit progresiv. Po kështu, politika e re fiskale do të ulë kostot e prodhimit bujqësor përmes krijimit të rrjetit kombëtar të grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore, si dhe do të pesëfishojë financimet publike për sektorin e bujqësisë.

Paralelisht, programi parashikon uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, dhe bërjen zero të kësaj takse per miellin, bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet. Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme e programit për ekonominë është ajo që ka të bëjë me uljen e borxhit publik. Partia Socialiste angazhohet të mbajë nën kontroll defiçitin buxhetor brenda nivelit 3%, si një detyrim për të ulur borxhin publik që është bërë barrë e rëndë për popullin. Një tjetër pikë e rëndësishme është ajo e zgjidhjes së ngërcit të tejzgjatur të pronës, për të cilin opozita premton zgjidhjen përfundimtare.
Po kështu, brenda mandatit të parë, Partia Socialiste angazhohet të ndërtojë Shqipërinë pa plehra, siç e quan ajo. Opozita thotë se do të ndërtojë infrastrukturën moderne, që mbështet zhvillimin dhe afron Shqipërinë me Europën. Një çështje e rëndësishme në program i kushtohet turizmit si një sektor kyç.

Opozita thotë se do të hartojë dhe miratojë Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë dhe masterplanin kombëtar për zhvillimin e turizmit. Po kështu burimet natyrore të vendit do të vihen në dobi dhe shërbim të publikut, çka nënkupton anulimin e të gjitha koncesioneve të paligjshme dhe rikthimin e transparencës së plotë në garat publike.

Shtylla e dytë, ajo e ripërtëritjes së shoqërisë synon ndërtimin e shtetit social. Përmes garantimit të shërbimeve publike solidare për të gjithë qytetarët, vendosjen e pagës minimale dhe minimumit jetik të garantuar dhe vendosjen e pensioneve jo më të ulëta se 40% e pagës mesatare.

Rivendendosja e demokracisë, kolona e tretë, parashikon rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, reformimin e drejtësisë dhe çmontimin e korrupsionit.

Pjesa e katër dhe e fundit e programit synon afrimin e Shqipërisë me Bashkimin eueorpian, ku opozita premton përmbushjen e detyrimeve dhe marrjen e statusit të kandidatit. Programi i opozitës do të prezantohet tek qytetarët nga vetë zoti Rama përmes një turi të gjerë, ku do të merren edhe propozime apo ide të reja nga vetë ata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA