Referendumi në Greqi, presion nga G20

02/11/2011 18:25

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, është duke u përballur me një presion ndërkombëtar në rritje, ndërsa bisedimet rreth krizës pritet që të nisin në samitin e G20-s.

Vendimi surprizë i Athinës zyrtare për të thirrur një refendum popullor për miratimin e planin të nxjerrjes së vendit nga kriza e borxheve ka çekuilibruar tregjet ndërkombëtare, ndërsa bursat kanë qenë në rënie të vazhdueshme.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, kanë thirrur të dy në takim Kryeministrin grek, pak pasi të dy shtetet kanë reaguar me deklarata në të cilat e kanë konsideruar marrëveshjen e arritur një javë më parë si të “panegociueshme”.

Sarkozy e cilësoi vendimin e njëanshëm të Greqisë për të mbajtur një referendum si një motiv “shqetësimi të thellë”. Së bashku me Zonjën Merkel, ai e përcaktoi veten të shokuar nga lajmi i papritur i mbajtjes së votës popullore.

Ekziston frika se një shumicë kundër referendimit do të nxirrte Greqinë nga euro, duke krijuar ndërlikime të mëdha financiare për të gjithë vendet e Eurozonës.

Një javë më parë, u miratua që në këmbim të faljes së gjysmës së borxheve të Greqisë, të hynin në fuqi masa të mëdha shkurtimesh, për të rakorduar bilancet e vendit. Gjithashtu u ra dakord për formimimin e një fondi të madh për t’u përdorur në rastet e urgjencës.

Gjermania paralajmëron Greqinë

Plani i Eurozonës për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi nuk mund të
rinegociohet, paralajmëroi Gjermania, përpara bisedimeve urgjente midis
palës greke me liderat francezë dhe gjermanë.

”Ajo për të cilën ramë dakord një javë më parë nuk mund të risillet sërisht në tavolinën e diskutimeve”, u shpreh Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle.


Kryeministri Papandreu
do të takohet me presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, ditën e enjte.

Takimi u thirr në mënyrë urgjente nga dy superfuqitë e Eurozonës, pasi Papandreu lajmëroi për mbajtjen e një referendumi popullor, për pranimin ose jo të planit të shpëtimit.

Megjithatë, ka pak gjasa që Athina të tërhiqet nga referndumi, ndërsa Papandreu morri mbështetjen unanime të qeverisë së tij, për votën popullore që do të mbahet në dhjetor.

Kryeministri deklaroi përpara kabinetit të tij se referendumi është e vetmja mënyrë, për t’i bërë grekët të pranojnë masat e ashpra që duhet të rëndojnë mbi ta. “Çdo zgjidhje tjetër do të ishte e pandershme”, shtoi ai.

Ndërkohë, vendimi grek është ndjerë fuqishëm edhe në bursa, të cilat kanë shënuar humbje të mëdha në dy ditët e fundit, nga vënia në pikëpyetje e planit për shpëtimin e euros.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA