Libia përgjaket nga dhuna tribale

02/11/2011 16:30

Lufta në Libi mund të ketë përfunduar, por rivaliteti midis fiseve tribale kërcënon të destabilizojë vendin për një kohë të gjatë, raportoi të mërkurën CNN.

Një javë më parë, përleshje të përgjakshme u zhvilluan në Tripoli, të klasifikuara sipas banorëve në më të dhunshmet që prej përfundimit të luftës. Të hënën, disa dhjetëra rebelë sulmuan spitalin në qytetin e Zintanit, duke rrëmbyer një pacient dhe trupin e një rebeli të vrarë.

Në momentin e rrëmbimit, pacienti ishte duke iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk ka gjasa që ai t’i ketë mbijetuar pengmarrjes në kushtet në të cilat u mor.

Të martën, në një zonë në periferi të Zintanit, u regjistruan përleshje të ashpra disa-orëshe, në të cilat u dëgjuan edhe shpërthime mortajash dhe breshëri mitrolozësh, ndërsa një qytet pranë Misuratës, i njohur për mbështjen që i dha kolonel Gaddafit, është shkretuar pas sulmeve të njëpasnjëshme të rebelëve.

Sipas raportimeve, përleshje të tilla janë duke ndodhur në të gjitha pjesët e vendit, ndërsa vendimi i NATO-s për të mos e zgjatur përfshirjen në konfliktin libian duket se ka sjellë më shumë anarki në vendin e madh afrikan.

Në kushte të tilla, fiset tribale janë organizuar në milici vendore, të cilat për momentin, askush në Libi nuk di se si mund të administrohen.

Ban Ki Moon, vizitë surprizë në Tripoli

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon po zhvillon një vizitë surprizë në kryeqytetin e Libisë, Tripoli. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë të aeroportit të Tripolit, sipas të cilëve Ki Moon ka mbërritur atje në mëngjes.

Sekretari i përgjithshëm nuk kishte zhvilluar kurrë një vizitë në Libi gjatë tetë muajve të konfliktit, që sollën në rrëzimin e regjimit të kolonelit Muammar Gaddafi, që u kap dhe u vra më 20 tetor. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA