Shqipëri-Kosovë, abetare e përbashkët

31/10/2011 00:00

Nxënësit në Kosovë dhe Shqipëri që për herë të parë do të ulen në bankat
e shkollës, vitin e ardhshëm, pritet ta kenë në duart e tyre një
abetare të përbashkët.

Kjo gjë mund të formalizohet shumë shpejt ndërmjet dy Ministrive të Arsimit, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Një gjë e tillë u bë e ditur pas një takimi ndërmjet ministit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja dhe atij Shqipërisë Myqerem Tafaj, në një konferencë të përbashkët në Prishtinë, ku u bënë të ditura disa nga detajet e kësaj çështjeje.

“Nuk cënon askënd, as traditë, as kulturë, as etnose. Por ndihmon të gjithë ata që janë në tërë gjeografinë shqiptare, kudo që janë, për të pasur mësimin e përbashkët. Dhe jam shumë i bindur, ndonëse nuk jam ithtar i datave, por shtatori i vitit që vie nxënësit tanë do t’i gjejë me abetaren e re, të gjithë hapësirës gjeografike shqiptare”, Buja.

Ndërsa homologu i tij shqiptar Tafaj u shpreh: “Aktualisht ne kemi 3 abetare në shkollat tona në Shqipëri. Së bashku me ministrin Buja, të dy ministritë kemi rënë dakord që të hapim konkursin për një abetare të re, e cila do të ketë autor nga Kosova dhe nga Shqipëria, dhe do të vlerësohet nga një komision i përbashkët. Kjo nuk do të thotë që abetaret e tjera do të përjashtohen nga tregu, sepse këtë nuk kemi të drejtë ta bëjmë”.

Pjesë e komisioneve të përbashkëta që tashmë janë ngritur nga dy ministritë, mund të bëhen edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Por, nëse nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, Malit të Zi, apo Maqedonisë, do të mund të mësojnë nga një abetare e tillë, kjo varet nga shteti ku ata jetojnë.

“Jemi të gatshëm që në komisionet që kemi bërë deri më tani, të jenë edhe ata të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit. Por ata, duhet të shohin se si janë punët me vetveten e tyre”, tha Buja.
 
Në anën tjetër, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ministri Tafaj është takuar edhe me drejtues të institucioneve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA