Buqetë me lule dhe ritme tradicionale për të pritur Presidentin e Republikës Bamir Topi. Larg nga zhurma e Tiranës dhe polemikat e ditës, Presidentit iu rezervua në qytetin verior, një pritje shumë e ngrohtë.
Në këtë atmosferë festive Presidenti u prit në qendër të qytetit nga intelektualë, artistë dhe qytetarë të shumtë që ishin mbledhur me këtë rast. Pas vizitës në muzeun etnografik, Presidenti, duke folur në Sofrën Pukjane, citoi gjuhëtarin Eqrem Cabej për shprehur emocionet që i shkakonte kjo vizitë në Pukë:
Më kujtohet i madhi profesor Eqerem Çabej që nga studimet kishte nxjerrë mbi baza shkencore, që Puka vinte nga fjala ‘publica via’, të pushosh i qetë. Sa herë vjen këtu ndjehesh i qetë », tha në fjalën e tij Presidenti i Republikës.
Duke përfituar nga ndërhyrja e tij në sofrën pukjane, Presidenti dekoroi edhe dy personalitete të njohur pukjanë. Fillimisht Mark Dodë Alian pas vdekjes me urdhërin Nënë Tereza, për aktivitetin e tij patriotik dhe antikomunist.
“Ai nderohet sot sepse është pjesë e asaj qelize patriotike që diti me shumë dashuri të përcjellë brez pas brezi”, vlerësoi presidenti Topi.
Më pas, me urdhërin “Mjeshtër i Madh” Presidenti dekoroi mjekun Elez Rrust Selimi.
“Profesor Elezin, jo vetëm që e njihni të gjithë, por ne jemi krenarë që e kemi të gjithë midis nesh, i cili nuk u mor thjesht me studimin shkencor, por mbi të gjitha u vendos në shërbim të njerëzve”, tha kreu i shtetit.
Eshtë viti i këtër rradhazi që në Pukë organizohet Sofra Pukjane. Sipas presidentit, ky aktivitet, njësoj si “sofran tiranase” apo “oda dibrane” ndihmojnë në ruajtjen e traditës.
Top Channel