Aleanca Kuq e Zi mbajti një konferencë për shtyp mesditën e së dielës, gjatë së cilës denoncoi regjistrimin e popullsisë si abuziv, kërkoi shpalljen e tij si të pavleshëm dhe akuzoi qeverinë për falsifikimin e të dhënave.
”Censusi është një farsë e qeverisë së nënshtruar”, deklaroi zëdhënësi i Aleancës. “Qeveria, nuk përmbushi rekomandimet e Bashkimit Europian, por ato të Athinës. Ekzistojnë prova edhe që anketuesit janë urdhëruar të falsifikojnë të dhënat”.
Sipas “AK”-së, përveç rritjes fiktive të numrit të minoritetut grek, po “realizohet edhe një rritje abuzime e të ardhurave për frymë dhe reduktim fiktiv i papunësisë në vend. Të gjitha këto bëhen për të përmirësuar në mënyrë të pavërtetë performancën e qeverisë”.
Aleanca vazhdoi me akuzat e saj, duke theksuar se “Shqipëria është duke ndjekur të njëjtën rrugë si Greqia për të hyrë në Bashkimin Europian. Ata hynë duke falsifikuar shifrat dhe për këtë arsye sot Athina ka falimentuar. Këtu në Tiranë, po bëjmë të njëjtën gjë, po falsifikojmë shifrat. Censusi duhet jo vetëm të shpallet i pavlefshëm, por edhe të nisë një hetim ndaj të gjithë atyre që e kanë shtrembëruar”.
Aleanca Kuq e Zi, si një grupim nacionalist, ka sulmuar që në fillim mënyrën se si është kryer regjistrimi i popullsisë. Më parë gjatë javës, në një deklaratë, Aleanca e cilësoi të dështuar regjistrimin, por është hera e parë që kërkohet zyrtarisht shpallja e pavlefshme e censusit. “AK” grumbulloi 25 mijë firma kundër kësaj nisme të qeverisë, por peticioni u shpërfill prej autoriteteve.
Top Channel