Një automjet me targa angleze, duke lëvizur me shpëjtësi jashtë normave të lejuara, për pak sa nuk i ka marrë jetën dy grave kalimtare.
Rreth orës 16:40 të së shtunës automjeti tip “Benz” ka lënë kryqëzimin në të majtë të ish-hotel “Dajti” duke devijuar nga rruga e njohur si unaza.
Në krahun përballë kishës katolike, në anën tjetër të Lanës, automjeti pasi ka goditur dy kalimtaret është përplasur me një furgon të linjës së Elbasanit, i ndaluar për të marrë pasagjerë.
Disa minuta pas ngjarjes qytetarja e zbehur në fytyrë e duke u dridhur nga shoku i shkaktuar tregon mometin e përplasjes.
“Ishte një moment, nuk di c’të them. Makina po vinte me shpejtësi, kur papritur u gjenda e shtrirë”, tregon ajo.
Ndërsa një qytetar, i cili ishte dëshmitar i të gjithë asaj që ndodhi, rrëfen momentin kur makina devijoi nga rruga. “E panë të gjithë. Ai u fut me shpejtësi. Lavdi zotit gratë shpëtuan”, tregon dëshmitari.
Oficerët e policisë rrugore të mëbërritur në vendngjarje kanë kryer menjëherë testin e alkoolit për drejtuesin e automjetit nga ku ka rezultuar se ai nuk kishte konsumuar alkool.
Jashtë kamerës oficerët e policisë rrugore pohuan se përplasja e dy qyetareve erdhi vetëm nga tejkalimi i limiteve të shpejtësisë.
Gjatë ditës së shtunë u regjistruan edhe dy aksidente të tjera rrugore. Njëri në Fier, ku një makinë shtypi një fëmijë dhe tjetri në Lushnje, ku drejtuesi i një automjeti humbi jetën pasi doli nga rruga.
Ndërsa ndër aksidentet më të rënda rrugore të ndodhur gjatë muajit në vend ka qenë ai në Durrës, ku një familje e tërë nga fshati Gjepalaj i Shijakut u shua në orët e para të 14 tetorit.
Automjeti me të cilin udhëtonin katër persona, dy bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.
Aksidenti ndodhi gjatë orëve të natës, por vetëm në mëngjes tragjedia u zbulua nga kalimtarët, që panë automjetin e përmbysur.
Top Channel