Zjarr në Elbasan, digjen ullishtet

28/10/2011 19:25

Një zjarr i fuqishëm ka rënë në qarkun e Elbasanit, ku flakët kanë përfshirë disa hektarë me ullishte në fshatin Kusarth.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se zjarri ka një shtrirje të gjerë dhe për rrjedhojë dhjetëra rrënjë ullishte janë djegur.

Sipas burimeve, ndërhyrja e zjarrfikësve është e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe është kërkuar ndërhyrja e ushtrisë për lokalizimin e vatrave të zjarrit.

Ende nuk dihet nëse zjarri ka qenë i rastësishëm apo i qëllimshëm, por pritet që kjo të zbardhet pasi të jenë shuar flakët.

Krujë, digjet fabrika

Një zjarr i fuqishëm ra rreth 10 ditë më parë në një fabrikë të prodhimit të sfungjerëve në afërsi të qytetit të Krujës.

Zjarri ra fillimisht në katin e parë të godinës trekatëshe e më pas u përhap në gjithë ndërtesën, duke rrezikuar edhe jetën e 80 punëtorëve.

Në tentativë për të dalë nga godina e fabrikës mbetën të plagosur tre punëtorë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital.

Zjarr pranë depozitave të karburantit

Ngjarja është e ngjashme me atë të mbrëmjes së 15 tetorit, ku një zjarr përfshiu një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës.

Një saldim i kryer fare pranë depozitave të naftës dhe depozitave të gazit mes fshatit Kashar dhe Domje për pak shkaktoi një katastrofë që fatmirësisht nuk ndodhi falë ndërhyrjes së menjëhershme të dhjetëra forcave zjarrfiksëse dhe policisë.

Nga ky zjarr mbetën të plagosur tre persona, punonjës të pikës së karburantit, të cilët u shoqëruan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA