Deputeti socialist Taulant Balla u dënua nga gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë me 700 mijë lekë gjobë.
Gjyqtarja Rezarta Vigani, në vendimin e saj u shpreh se e gjen fajtor deputetin për akuzën e shpifjes ndaj nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kulicaj.
Pak caste pas njohjes me vendimin në gjykatë, Balla u shpreh se nuk i heq asnjë presje akuzave të tij për Kulicajn dhe se vendimi i gjykatës ishte i montuar politikisht.
Ai akuzoi kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli dhe gjyqtaren Vigani për një paracaktim të këtij vendimi gjyqësor.
“Nuk na u dha fjala për të paraqitur provat, por u njohëm me një vendim të paracaktuar dhe besoj se vendimin që unë dëgjova na e tha një javë ma parë spikerja e Parlamentit. Gjyqësori vuan nga një sëmundje e rëndë, më të rëndë nga ajo në të cilën është qeveria”, deklaroi Balla.
Dënimin nga gjykata Balla e komentoi ironikisht ndaj kryemninistrit. “Sic e kishte ndarë me Saliun dhe Jozefinën, aq tha dhe gjyqtarja”, u shpreh ai.
Deputeti socialist u shpreh se vazhdon të besojë se ka një pjesë të drejtësisë e cila do të reagojë ndaj mbikëqyrjes shtetërore.
Në kabllogramet e publikuara në Wikileaks në shtatorin e këtij viti, ambasadori John Withers akuzonte Agron Kulicajn për lidhje të dyshimta me krimin e organizuar dhe për korrupsion.
Kabllogrami përcolli detaje skandaloze, deri në akuzën se ai kishte ndihmuar Dritan Dajtin për t’i shpëtuar arrestimeve.
Ndërsa akuzat e Taulant Ballës ndaj Kulicajt erdhën vetëm një ditë pas publikimit të këtyre kabllogrameve në mediat shqiptare.
Top Channel