Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave Demokratët e refuzuan ftesën për pjesëmarrje në tryezën e organizuar nga
deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve, në fokus të së cilës
ishte “Drejtësia në Sfiden e Integrimit.
I vetmi nga maxhoranca qeverisëse, që iu përgjigj pozitivisht ftesës, ishte kryetari i grupit parlamentar të LSI, deputeti Lefter Koka.
“Ky takim, që ka si pikënisje shqetësimin tonë të thellë, është njëkohësisht edhe shprehje e përgjegjësisë sonë për të debatuar dhe shkëmbyer mendime, në mënyrë konstruktive. Ftesa jonë për këtë tryezë ishte e gjerë edhe për qeverinë, edhe për mazhorancën, si një mundësi tjetër për t’iu anashkaluar politikës konfrontuese dhe për t’i dhënë rrugë frymës së dialogut dhe konsensusit parlamentar, rreth reformave në drejtësi, të cilat kërkojnë domosdoshmerisht kontributin e të gjithëve. Ndihemi të keqardhur për mungesën e tyre në këtë tryezë”, tha nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafa.
Konstitucionalisti Luan Omari deklaroi se duhet një reformë e gjerë në sistemin e gjykatave dhe prokurori. Ai ka folur edhe për nevojën e miratimit të ligjeve me tre të pestat.
“Ka ardhur koha që opozita të japë kontributin e saj në këtë aspekt. Nuk mund të zgjasë pambarimisht lënia mënjanë e ligjeve që kërkojnë patjetër një shumicë të cilësuar. Ato janë faktorë të qënësishëm për mbarëvajtjen tonë politike dhe shtetërore dhe sigurisht edhe Bashkimi Evropian ka kërkesa të përsëritshme në këtë aspekt. Mendoj se ligjet duhet të votohen pasi të rishqyrtohen sepse shumë prej tyre kanë kaluar edhe në Komisionet Parlamentare, pa mendimin e opozitës”, tha Omari.
Duke folur për një sërë problemesh me të cilat ndeshet sistemi i akuzës në Shqipëri, Shkëlqim Hajdari, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së prokurorëve, ka sygjeruar disa ndryshime.
“Buxheti i prokurorisë të jetë i pavarur, i miratuar me ligj, bazuar në kërkesat e parashikuara dhe të argumentuara nga organi i prokurorisë në cdo fillim viti. Të mundësohet barazimi i pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, me ata të rajonit. Të ruhet pozicioni kushtetues i Prokurorit të Përgjithshëm dhe mënyra e zgjedhjes së tij, por të barazohet mandati i tij me mandatin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, 9 vjet pa të drejte rizgjedhjeje”, tha Hajdari.
Lideri i opozitës Edi Rama ka komentuar rëndësinë e tryezës dhe mosmarrjen pjesë të mazhorancës.
“Ne kemi shpalosur një vizion më të detajuar për procesin që ftojmë të hapet, për ligjet me tre të pestat, e kemi ndarë këtë me përfaqësues të nderuar të botës së drejtësisë shqiptare dhe me miq dhe partnerë të nderuar ndërkombëtarë. Nuk kemi mundur ta ndajmë dot me përfaqësuesit e palës tjetër të ftuar për të marrë pjesë në këtë tryezë, sepse mesa duket janë të zënë me punë më të rëndësishme sesa integrimi europian i Shqipërisë dhe marrja e statusit të kandidatit dhe përfytyroj që ndërkohë që ne flisnim për gjërat që kërkon Europa prej nesh, Saliu do të ketë qenë në ndonjë majë mali duke thënë: Nuk më le opozita ta lëshoj Shqipërinë që kam kapur për fyti'”, tha Rama.
Konkluzionet e tryezës do t’i shërbejnë për PS-në, si një platformë pune në diskutimet e ardhëshme politike e në nivel parlamentar për reformën në drejtësi.
Top Channel