140 ushtarë grekë të rënë gjatë betëjës së Bularatit në Dropull gjatë vitit 1940 në përpjekje me italianët janë përkujtuar me një meshë dhe më pas me homazhe në varrezat e tyre që gjenden në këtë fshat.
Rreth 200 familjarë të ushtarëve grekë kanë mberritur për të ndjekur nga afër ceremoninë dhe për të përkujtuar të afërmit e tyre.
“Ne jemi nga Konica dhe kam ardhur këtu për të përkujtuar xhaxhain tim të rënë në luftë më italianët. Për ne ai ka qenë gjithnjë frymëzim dhe po të mos ishin banorët e zonës nuk do të kishim mundur t’i gjenim as eshtrat”, thotë një nga vizitorët.
“Kam humbur babain tim në atë luftë. Një ushtar 27 vjecar. E kam peng gjithë jetën sepse nuk e kam parë kurrë. Ai ra për liri, fe dhe atdhe kështu që në këtë pikë bashkohet gëzimi me dhimbjen. Vijmë cdo vit dhe kemi qenë gjithnjë të mirëpritur këtu në Shqipëri”, thotë një tjetër banor nga Greqia.
Në ceremoninë përkujtimore këtë vit kanë marrë pjesë ambasadori grek në Shqipëri, Nikolaos Pazios , krerë të shërbimit konsullor grek në vend, deputetët e qarkut nga Vangjel Tavo, Vangjel Dule dhe Spiro Ksera. Homazhe kanë kryer gjithashtu kreu i OMONIA-s Vasil Bollano, autoritete lokale dhe familjarë të ushtarëve të vrarë.
Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolaos Pazios gjatë leximit të mesazhit zyrtar të Ministrisë së jashtme greke që përkujton këtë ditë mes të tjerash tha se kujtimi i këtyre ushtarëve do të jetojë gjatë si shembull i rrallë i përpjekjes për lirinë, gjuhën, kulturën, fenë dhe integritetin.
Top Channel