Pak orë pas dekretimit nga ana e presidentit Bamir Topi të ish-deputetit
të Partisë Demokratike, Sali Shehu në postin e kryetarit të Kontrollit
të Lartë të Shtetit ka ardhur reagimi i ashpër kundërshtues i
mazhorancës.
Deputeti Enkelejd Alibeaj i ftuar ne emisionin “Top Story” beri te qarte qendrimin e mazhorances ndaj kesaj kandidature dhe per me teper leshoi akuza shume te renda ne drejtim te presidentit, por ne vecanti ndaj te sapo dekretuarit në drejtimin e Kontrollit të Larte të Shtetit.
“Ne kohen kur isha ministër i Drejtësisë kam patur në vëmendje të përqendruar sistemin gjyqësor, dhe sidomos cështjen e promovimit të gjyqtarëve. Dhe në pjesën më të zezë që sistemi gjyqësor ka njohur gjatë presidencës ‘Topi’ ka qenë promovimi i gjyqtarëve, në bazë të parave, në bazë të korrupsionit. Një prej personave është propozimi i presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit“, tha Alibeaj.
Qendrimi Alibeajt ishte nje qendrim zyrtar i mazhorances dhe kjo u reflektua ne titullin e pare te gazetes se Partise Demokratike, e cila ne titull te pare leshon akuza te renda per kreun e shtetit.
Ndërkohë, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi u shpreh më i rezervuar duke thënë se propozimi i Presidentit të Republikës do të kalojë nëpër komisionet dhe sitën parlamentare për të vendosur nëse është e duhura apo jo. Toçi nënvizoi se Sali Shehu është një kandidaturë e djathtë.
“Është një kandidaturë që vjen nga e djathta, e bërë me të drejtat kushtetuese të presidentit Topi. Do ndjekim të gjitha rrugët institucionale për të vendosur për këtë kandidaturë”, deklaroi deputeti Toçi.
Analisti i ftuar në studio, Lutfi Dervishi, vlerësoi se propozimi i presidentit është një test për situatën politike në vend, pas përplasjeve të presidentit Topi me mazhorancën. Dervishi nënvizoi se mazhoranca me shumë gjasa do ta rrëzojë kandidaturën.
Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se nevojitet një kandidaturë konsensuale. Ai theksoi se nëse votimi në parlament për kandidaturën e zotit Shehu do të behëj i fshehtë, ai do të merrte votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i KLSH-së, por me votim të hapur, kjo kandidaturë, sipas zotit Milo do të rrëzohet për shkak të qendrimit politik.
Zotit Shehu për t’u konfirmuar do t’i duhen 71 vota. Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar. Ndaj votimi i tij në parlament pritet me interes.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konsiderohet një institucion mjaft i rëndësishëm, sepse sipas ligjit eshte institucioni me i larte i kontrollit ekonomik dhe financiar. KLSH i nenshtrohet vetem Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse zgjidhet kryetar i KLSH, Sali Shehu do të qëndrojë në detyrë per 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Top Channel