Një grup deputetësh socialistë, të pakënaqur nga udhëheqja e sotme politike, përfshirë edhe atë të partisë së tyre, kërkojnë që modernizimi i sistemit politik, të niset së pari nga partia opozitare më e madhe në vend.
Në një takim që po zhvillohej paralel me Mbledhjen e Kryesisë së PS-së, deputetët Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, si dhe figura të njohura të socialistëve si Rexhep Mediani, Musa Ulqini dhe Edlira Haxhiymeri, kërkuan së pari mbështetje tek të rinjtë.
Për Kastriot Islamin, është e paparanueshme se si për shkak të klientelizmit partiak, mungesës së konkurencës dhe vlerave politike, në Partinë Socialiste flitet për përjashtime të buta të tyre apo më keq, për ndjekjen e politikave, të cilat Partia Socialiste nuk i ka zbatuar kurrë deri në vitin 2005.
“Njerëz që kanë dhënë kontribute në atë kohë, rrinë në rresht, për gjëra për të cilat kanë luftuar. Ministra, po jo vetëm, që kanë luftuar kundër bojkotit të Berishës, tani rrinë dhe mbështesin bojkotin e Partisë Socialiste. Figura të shquara të Partisë Socialiste mbështesin veprime antieuropiane të kësaj partie”, tha deputeti i PS, Kastriot Islami.
Këtu zoti Islami e kishte fjalën për mosmiratimin e ligjeve me 3/5 e votave, përfshirë edhe ligjin për Gjykatën Administrative, kërkesa të paplotësuara, që sipas tij dhe deputetit Arben Malaj, bashkë me keqqeverisjen e demokratëve, rrezikojnë humbjen e shansit të dhënë për marrjen e statusit në dhjetor dhe thellimin e krizës politike në vend. Duke besuar se janë socialistët ata që mund të bëjnë reformat e duhura për vendin, zoti Malaj kërkoi së pari modernizimin e Partisë Socialiste.
Platforma e duhur sipas tij është braktisja e bojkotit, si mjet ekstrem i luftës politike, ndalja e klientelizmit, reduktimi i mandateve të njëpasnjëshme për të njëjtin individ, që do të thotë që askush në Partinë Socialiste apo qeverinë e saj të mos ketë mandat më shumë se 8 vjeçar. Këto, sipas zotit Malaj, janë disa nga vlerat demokratike që sjellin Partinë Socialiste në pushtet në vitin 2013.
“Partia Socialiste duhet ta bazojë fitoren e saj te avantazhet e saj dhe jo thjesht të presë rrëzimin e Qeverisë Berisha. Lideri i laburistëve anglezë u kërkoi laburistëve të mos besojnë më teorinë se për të ardhur në pushtet mjafton të presësh të bjerë qeveria. Për të ardhur në pushtet duhet përkushtim dhe avantazh vlerash që të fitosh dhe meritosh mbështetjen publike. Sa më shumë të vonohemi në modernizimin e PS, aq më gjatë keqqeverisja Berisha do të qëndrojeë në pushtet”, deklaroi deputeti socialist, Arben Malaj.
Deputetët e PS-së që nuk pajtohen me politikën aktuale të lidershipit të opozitës, janë të bindur se nëse objektivi politik i ardhjes në pushtet në 2013-ën nuk ballafaqohet me mjetin për arritjen e këtij qëllimi, shëndoshjen e Partisë Socialiste, nga ajo që e quajnë gërryerje të kultivuar nga paaftesia politike dhe mungesa e vizionit të kryetarit Edi Rama, për të ngjallur shpresë dhe besim tek njerëzit, atëhere fitorja e Partisë Socialiste do të jetë e largët dhe e vështirë.
Top Channel