Rezultatet zyrtare në Tunizi

26/10/2011 01:30

Rezultatet zyrtare të pjesshme pas zgjedhjeve në Tunizi, sygjerojnë fitoren e Partisë Islamike të moderuar “Ennahda”, në zgjedhjet e para demokratike pas “pranverës arabe”.

“Ennahda” shpalli fitoren dhe kundërshtarët pranuan humbjen, në procesin e mbikëqyrur nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Ndërsa tunizianët e përshëndetën fitoren.

E dyta në këto zgjedhje renditet partia e qendrës se majtë, “Kongresi për Republikën”.

Sipas Komisionit Zgjedhor “Ennahda” ka triumfuar në 24 zona zgjedhore dhe sipas parashikimeve është fituese, por nuk siguron dot shumicën për të qeverisur e vetme.

“Ennahda” u zotua se do të respektojë pluralizmin dhe do të formojë një koalicion me partitë laike.

“Ennahda” apo “Rilindja” është një parti islamike e cila gjatë regjimit të Ben Ali, ishte shpallur e jashtëligjshme. Udhëheqësi i saj është Rashed Ganushi, i kthyer pas 20 vitesh mërgimi, të cilat i kaloi në Britaninë e Madhe. Ai u zotua se partia e tij do të respektojë demokracinë dhe se do të gjejë ekuilibrin mes modernes dhe islamit.  

“Pranvera arabe” në Tunizi rrëzoi nëntë muaj më parë, ish-presidentin e Tunizisë, Zine Al Abidine Ben Ali, pas 23 vjetësh në pushtet.  Ndryshe nga fqinji i saj, Libia, tranzicioni i Tunizisë ka qenë gjerësisht paqësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA