Qendrat e votimit janë hapur në Tunizi për zgjedhjet e para të lira 9 muaj nga rrëzimi i presidentit Zinedin Al Abidin Ben Ali.
Votuesit do të zgjedhin asamblenë 217 vendëshe, e cila ka detyrën e hartimit të një kushtetute të re dhe caktimit të një qeverie tranzicioni.
Fituese e këtyre zgjedhjeve pritet të dalë partia islamike Ennahda, ndonëse nuk është e qartë sipas BBC-së nëse do të arrijë të sigurojë një mazhorancë të qartë.
Ben Ali u largua nga Tunizia në 14 janar pas rebelemit popullor që do të niste efektin domino edhe në vende të tjera të rajonit, i njohur tanimë si Pranvera Arabe. Fushata zgjedhore në Tunizi është shenjuar nga shqetësime mbi ndasitë mes islamikëve dhe laikëve, financimit të partive dhe apatisë së votuesve, por në kohën e mbylljes së saj këtë të premte, korrespondentët raportuan një shtim të optimizmit.
Këto zgjedhje konsiderohen të një rëndësie kyçe jo vetëm për Tunizinë, sepse nëse ato do të rrjedhin paqësisht e procesi do të jetë i ndershëm dhe transparent, atëherë mund të inkurajojnë akoma më tej lëvizjet demokratike në Siri, Jemen, Bahrein apo në vende të tjera. Fuqitë ndërkombëtare vëzhgojnë përbërjen politike, veçanërisht prezantimin e partive islamike.
Në bazë të një sistemi proporcional, partitë kanë përcaktuar kandidatët e tyre, gjysma e të cilëve do të jenë gra. Në kohën e Ben Alisë, partia islamike e moderuar “Ennahda” apo “Rilindja”, që gëzon mbështetje të gjerë në populll, ishte shpallur e jashtëligjshme. Lideri i saj, Raced Ganushi u kthye nga mërgimi pas 20 vjetësh. Rivalja e saj më e afërt është Partia Progresive Demokratike, PDP, laike, ndër të paktat që u pranuan nga regjimi.
Themeluesi i saj është Naguib Kebi, ministër i Zhvillimit rajonal që prej janarit. Sipas misionit të vëzhguesve të Bashkimit Europian, fushata në përgjithësi ishte transparente.
Top Channel