Kryeministri Sali Berisha e ka kaluar të dielën në zonën e Dibrës, ku duke marrë pjesë në inaugurimin e 6 veprave publike, kishte si qëllim të promovonte jo vetëm ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por edhe 2 projekte të qeverisë së tij, atë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe arroreve, si dhe zhvillimin e turizmit malor.

Rrugët e inauguruara në zonën e Dibrës janë pjesë të rrugës kombëtare që e lidhin Peshkopinë me disa komuna dhe me një fond prej rreth 500 milionë lekësh, është synuar përmirësimi i infrastrukturës si mundësi e re për nxitjen prodhimit vendas.

Në zonën e Dibrës, përvecse në ndërtimin e rrugëve, qeveria ka subvencionuar mbjelljen e 700 ha në pemëtari, arrore dhe vreshta dhe kryeministri premtoi sërish se subvencionimi do të vazhdojë për të shndërruar Peshkopinë dhe komunat përreth ndër prodhuesit kryesorë të frutave dhe arroreve.

“Pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, përfundimit të rrugës Kukës-Peshkopi, Peshkopia shndërrohet në një qendër të rëndësishme të zhvillimit rajonal në të gjithë Shqipërinë veri-lindore. Infrastruktura e re dhe moderne, hap Peshkopinë drejt Kosovës, Tiranës, Dibrës dhe Shkupit”, tha kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se Shqipëria duhet të zhvillojë me shpejtësi cdo potencial të saj për të kapur kohën e humbur dhe prapambetjen e trashëguar.

Sipas kryeministrit, për fat të mirë, ky zhvillim nuk është në dorën e opozitës, e cila, sic tha zoti Berisha, vazhdon të bëjë gjithcka për të penguar me votën e munguar, integrimin europian të Shqipërisë. Edhe pse sipas kryeministrit Berisha nuk është ky qëllimi për të cilin e kanë votuar socialistët shqiptare.

“Thashë lavdi Zotit për dy arsye; arsyeja e dytë është se shumica e gjërave janë në dorën tuaj sepse ju e patë betejën që bënë kundër rrugës së Kombit, betejën që bënë kundër rrugës Tiranë-Elbasan, ju e patë votën e tyre kundër rritjes së pensioneve dhe rrogave. Të gjitha këto dëshmojnë se zhvillimin asgjë s’mund ta ndalojë në këtë vend, sepse ai bazohet në mundin, djersën dhe shpirtin tuaj punëtor”, u shpreh Berisha.

Megjithatë, nga Peshkopia, ku realizoi një takim me të gjithë të zgjedhurit vendorë të qarkut të Dibrës dhe merrnin pjesë edhe kryetarët socialistë të disa bashkive dhe komunave, kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të vazhdojë bashkëpunimin me pushtetin lokal në interes të qytetarëve pa dallim partiak.

Një nga temat kryesore të takimit me të zgjedhurit vendore ishte projekt-ligji për paketën fiskale të pushtetit lokal, ku propozohet kalimi i plotë nga qeveria qendrore tek qeveria lokale i disa taksave si dhe ndarja e përbashkët e disa taksave të tjera, të cilat kapin vlerën e 150 milionë dollarëve.

“Nga 27 taksa kombëtare, qeveria do të mbajë vetëm 6, të tjerat do t’ua transferojmë ju. Do përpiqemi që të ardhurat kombëtare të ndahen shumë më mirë se c’janë ndarë deri më sot. Këtu ju jinni të një spektri politik të djathtë e të majtë; në mënyrë absolute kjo qeveri nuk do të bëjë asnjë dallim”, deklaroi Berisha para drejtuesve vendore të Dibrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA