“Aleanca e plehut dhe Gjeli në majë”

23/10/2011 15:30

Editorialin më të fundit kreu opiztës Edi Rama ja ka kushtuar problematikës së plehrave ku si titull ka zgjedhur “Aleanca e Plehut dhe Gjeli majë plehut”.

“I quajti aleancë plehu të gjithë kundërshtarët e atij pleh-projekti, edhe Presidentin e Republikës, edhe shoqërinë civile, edhe median, opozitën po e po. Cili kryeministër në cilin vend normal, demokratik, në Europë a kudo qoftë, do guxonte t’i quante kundërshtarët Aleancë e Plehut? Askush, askund. Ndërkohë që Saliu s’e ka problem të flasë për kundërshtarët siç flasin të gjithë banditët në krye të vendeve pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa garanci kushtetuese për askënd, pikërisht sepse votat i vjedh, gjyqet i komandon vetë, garancitë i shpërndan si shpërblime për të nënshtruarit e vet. Prandaj edhe ka për më tepër kurajën të gënjejë derrçe, përditë, duke folur për mrekullira ekonomike ndërkohë që popullit të vet i ka vajtur thika në rrashtë. Apo duke bërë së fundi ambientalistin e madh, në një vend të bekuar nga Zoti ku qeveria e tij s’po le vend pa shkatërruar”, kështu shkruan Edi Rama në fillim të editorialit.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Berisha lideri opozitës shkruan:

“Jam ambientalist” thotë “po s’jam anti-globalist”, me demek s’është si të gjithë ata që i thonë mos, mos i’a bëj peshqesh Shqipërisë plehrat e botës sepse Shqipëria sot po mbytet nga plehrat e veta. S’është si Presidenti i Republikës, që i thotë refuzoj ta firmos atë ligj plehrash ku s’ka vend për nenin që lejon importimin e plehrave nga jashtë. S’është as si intelektualët, që i kanë kushtuar njëzet vjet jetë mbrojtjes së ambientit dhe luftojnë sot dëshpërimisht për ta mbrojtur trupin e Shqipërisë nga kafshimet mizore të qeverisë së tij. Në vend se të çojë në këmbë tërë vendin me alarmin për mbytjen nga plehrat gjatë gjithë vijës së Adriatikut, përgjatë shtretërve të lumenjve e nëpër tërë territoret e shkelura të vendit, shkruan Rama, Saliu preferon të sundojë mes plehrave duke sharë e gënjyer përditë. Për të mbajtur me pahir një pushtet të degjeneruar që e ka degraduar shtetin shqiptar e moralin publik në një gradë ku s’ka qenë kurrë. Copë-copë.

Edi Rama në editorial thekson se  “Vendi ynë po e humbet me shpejtësi fuqinë më të madhe që i fali perëndia, bukurinë, dhe bashkë me të edhe pasuritë e çmuara të një natyre të rrallë që po barbarizohet dita – ditës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA