Mënyra se si është kuptuar virgjëria në Shqipëri u vendos në qendër të debatit të emisionit të “Pasdites”, në një panel ku ishte i ftuar sociologu Zyhdi Dervishi dhe shkrimtarja Brunila Zllami.
Dy dokumente filmike treguan se virgjëria, si vlerë vazhdon të jetë një element i rëndësishëm psikologjik midis shqiptarëve. “Deri në vitet 1800, ky nuk ka qenë një element vetëm shqiptar, por gjendej në të gjitha shoqëritë e kohës”, shprehet sociologu Dervishi. “Ndryshimi i madh ndodhi me formimin e qendrave të mëdha urbane dhe qëndrave të mëdha të punës. Nëpër fabrika ku vajzat dhe djemtë punonin bashkë, ishte e pashmangshme që të ndodhnin edhe kontaktet e para seksuale. Kështu, koncepti evoloi me kalimin e kohës, ndonëse në Shqipëri është dashur më shumë kohë për këto ndryshime, për shkak të hapjes relativisht të vonë të vendit tonë ndaj këtyre zhvillimeve”, shtoi profesori.
Duke folur për virgjërinë si një vlerë aktuale, shkrimtarja Zllami e konsideroi atë si aktual dhe të vjetëruar njëkohësisht. “Është aktual, pasi marrëdhëniet seksuale në moshë të re janë shndërruar një problem për shoqërinë modern. Shpesh, këto marrëdhënie sjellin efekte të padëshiruara, siç janë edhe shtatzanitë në moshë shumë të re. Për këtë arsye, është mirë që ti jepet një vlerë e caktuar virgjërisë si vlerë, por nga ana tjetër, jam tërësisht kundër konceptimit të saj si një thesar I çmuar që duhet ruajtur”. Debati i plotë mund të ndiqet në emisionin e Pasdites së ditës së mërkurë, të cilin mund ta gjeni në arkivin tonë të vidiove.
Top Channel