
Ushtari izraelit Gilad Shalit është kthyer në shtëpi pas pesë vitesh
burgim, në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve mes
Izraelit dhe Palestinës.
Rreshteri Shalit u dërgua nga militantët palestinezë nga Gaza në Egjipt dhe më pas në një bazë ajrore të Izraelit, ku u bashkua sërish me familjen e tij.
Ndërkohë, 477 palestinezët e liruar të martën kanë mbërritur në Gaza, ku janë pritur nga një turmë e ngazëllyer.
550 të burgosur të tjerë do të lirohen muajin e ardhshëm, si pjesë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Rreshteri Shalit, 25 vjec, u mor peng në vitin 2006 nga militantët e Hamasit, të cilët kishin hyrë në Izrael përmes një tuneli sekret.
Më herët gjatë së majtës ai u shoqërua në kalimin e Rafahut, mes Gazës dhe Egjiptit, ku dhe iu dorëzua ndërmjetësve egjiptianë nga militantët e Hamas, në prani të ndërmjetësve izraelitë.
Në intervistën e tij të parë, për një televizion egjiptian, ai tha se e kishte marrë malli për familjen dhe miqtë e tij.
Pak i dobët dhe i zbehtë, rreshteri u shpreh se, shpreson që shkëmbimi i të burgosurve të ndikojë në vendosjen e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.
Para se të transferohej në kalimin Kerem Shalom, mes Egjiptit dhe Izraelit, ai u bëri një telefonatë prindërve të tij dhe më pas fluturoi me helikopter për në bazën Tel Nof, ku familja e priste.
Kontrollet e para mjekësore konstatuan se Shalit ndodhet në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Top Channel