Kolumbi, vajza 10-vjecare fiton lirinë

18/10/2011 00:00

Një vajzë 10-vjecare në Kolumbi, rrëmbimi i të cilës muajin e kaluar tronditi të gjithë vendin, ka fituar lirinë.

Presidenti Juan Manuel Santos deklaroi se Nohora Valentina Munoz është liruar pas ndërmjetësimit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ende nuk është e qartë se kush e rrëmbeu vajzën teksa ajo shkonte në shkollë, në qytetin Fortul, në afërsi të kufirit me Venezuelën.

Megjithatë, dyshimet bien mbi rebelët e ekstremit të majtë që janë të pranishëm në rajon. Mijëra trupa ushtarake dhe policore u përfshinë në përpjekjet për ta shpëtuar atë.

“Le të festojmë për lirimin e Nohora Valentina. Një falenderim i vecantë shkon për Kryqin e Kuq”, deklaroi presidenti Santos. Detajet mbi mënyrën e negocimit dhe lirimit të saj nuk janë bërë ende publikë.

Nohora, e bija e kryetarit të bashkisë së Fortulit, u rrëmbye nga persona të armatosur më 29 shtator. Mamaja e saj u rrëmbye bashkë me të, por u lirua vetëm pak momente më vonë.

Ngjarja shkaktoi një indinjim të thellë në të gjithë Kolumbinë, ku u zhvilluan manifestime të mëdha për lirimin e 10-vjecares.

Top Channel