Punimet që po kryhen në sheshin “Skënderbej” për asfaltimin nga e para të rrugëve do të jenë objekt i denoncimit në prokurori nga këshilltarët socialistë, pasi sipas tyre po shkelen procedurat ligjore dhe se nuk dihet nëse ka një projekt për to.
Aldrin Dalipi shpjegon se janë pro zgjidhjes së cështjes së trafikut, por jo duke cuar dëm miliona euro e duke kryer punime pa një projekt të mirëfilltë.
“Kemi një veprim të cilin nuk e kuptojmë a ka apo s’ka projekt në këtë cështje sepse nuk ka kaluar një gjë e tillë në KRRT. Janë miliona euro të cilat po fundosen dhe ne nuk kemi asnjë aspekt ligjor për ta parë as në Këshillin Bashkiak dhe për këtë ne do t’i drejtohemi prokurorisë për të sqaruar këtë cështje dhe për të mos lejuar abuzimin me paratë e donatorëve”, thotë zoti Aldrin Dalipi, kryetar i grupit të këshilltarëve socialistë.
Dalipi thekson zgjidhjen e cështjes së trafikut për qytetarët, por jo duke shkatërruar projekte të cilat ishin vlerësuar nga një juri ndërkombëtare dhe ndër të tjera e miratuar edhe nga Këshilli i Rregullimi të Territorit .
“Në interesin tonë është zgjidhja e trafikut të Tiranës, por jo duke jo duke hedhur një projekt të vlerësuar nga një juri ndërkombëtare. Trafiku do të ishte zgjidhur nëse qeveria e zotit Basha nuk do të kishte bllokuar ndërtimin e unazës së madhe e të vogël për gjithë këto kohë”, shton Dalipi.
Pas padisë për abuzime në rrugën Durrës –Kukës në kohën kur ishte Minister i Punëve Publike, pas padisë për hapësirën detare në kohën kur ishte Ministër i Jashtëm dhe asaj për 21 Janarin kur ishte Ministër i Brendshëm ,zotit Basha do t’i shtohet edhe një tjetër padi për punimet në sheshin “Skënderbej”, në fillim të mandatit të tij si kryetar i bashkisë së Tiranës.
Top Channel