“Iranianët nuk kanë nevojë të kryejnë vrasje, këtë gjë e bëni ju!”
Kështu është shprehur presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, duke iu drejtuar qeverisë amerikane pasi kjo e fundit ka akuzuar Teheranin për një komplot terrorist ndaj SHBA-së.
“Kanë akuzuar Iranin për aksione terroriste, por këto lloj gjërash bëhen nga popuj të pakulturuar dhe jo nga iranianët”, është përgjigjur Ahmadinexhad.
“Kemi prova bindëse që qeveria iraniane po mbështet ekonomikisht aktivitete destabilizuese”, pati deklaruar Jake Sullivan, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në lidhje me përfshirjen e Iranit në atentatin e përgatitur për të vrarë ambasadorin saudit në Uashington.
Zbulimi i komplotit terrorist për vrasjen e ambasadorit u njoftua më datë 11 tetor nga autoritetet amerikane, të cilat bënë të ditur arrestimin e dy shtetasve iranianë, njëri prej të cilëve mbante pasaportë amerikane.
Ngjarja acaroi tej mase Uashingtonin. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në një mesazh të fuqishëm drejtuar Teheranit, paralajmëroi se veprime të tilla nuk do të tolerohen.
Vetë Irani i hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ato si një sajesë të Uashingtonit.
Top Channel