
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, lajmëroi
se do të dërgojë 100 trupa në Ugandë, për të ndihmuar forcat qeveritare
për të formuar rebelët famëkeq të vetëquajtur “Ushtria e Rezistencës së
Zotit”.
Edhe pse do të jenë të pajisur me materialin e tyre luftarak, trupat amerikane do të përqendrohen vetëm në organizimin dhe instruktimin e forcave luftarake ugandeze, ndërsa kanë urdhër që të mos përfshihen në beteja.
Kjo bërthamë prej 100 personash do të marrë përvojë në vendin e Afrikës Qendrore, për t’u përdorur më pas për të trajnuar edhe trupa të tjera amerikane, që mund të përfshihen në misione të ngjashme në Afrikë.
”Kam autorizuar një numër të vogël forcash të pajisura për luftë, që të zhvendosen në Ugandë, për të ndihmuar autoritetet vendase në kapjen dhe largimin nga skena të Joseph Kony dhe ushtrisë së tij”, shkroi Obama në një dokument të publikuar ditën e premte. “Ndonëse do të jenë të pajisura për luftë, forcat tona kanë urdhër që të hapin zjarr vetëm për t’u vetëmbrojtur”.
Presidenti amerikan nuk dha asnjë informacion mbi kohëzgjatjen e këtij misioni. URZ-ja është përgjegjëse për të paktën 30 mijë viktima, gjatë terrorit të rregullt të ushtruar prej tyre në 20 vitet e fundit në zona të ndryshme të vendit, ndërsa dy milion persona janë zhvendosur në zona të tjera si rrjedhojë e aktivitetit të rebelëve.
Organizata është e njohur sidomos për grabitjen e fëmijëve, detyrimin e djemve të vegjël që të shndërrohen në ushtarë dhe përdorimin e vajzave si skllave seksi. Kony kërkohet me një mandat ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, tortuta dhe masakra.
Nga ana e tij, senatori dhe kandidati për president në vitin 2008, John McCain, kritikoi lëvizjen e Obamës, duke thënë se “ajo nuk do të sjellë asnjë përmirësim në situatën në Ugandë. Misionet e mëparshme paqeruajtëse në Somali apo Liban kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Ajo për të cilën kanë nevojë njerëzit e Ugandës është një ndërhyrje më e vendosur nga ana e autoriteteve”.
Top Channel