Protestë në Jemen, 6 viktima

15/10/2011 00:00

Protesta të dhunshme kundër regjimit të presidentit Ali Abdullah Saleh
shpërthyen mesditën e sotme në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a, ndërsa
gjashtë persona mbetën të vrarë në përleshjet me policinë e dhjetëra të
tjerë u plagosën.

Saleh është përballur prej tetë muajsh me protesta të vazhdueshme në qytetet kryesore dhe përveç gazit lotsjellës e zjarrëfikseve me ujë, policia përdori edhe plumba të vërtetë për të shpërndarë turmën.

Dëshmitarë okularë informuan se protestuesit ishin duke marshuar nga disa lagje të brendshme, në sheshin qendror të revolucionit, i kontrolluar nga trupat elitë të Gardës Republikane, besnike ndaj Saleh.

Deri më sot, njeriu që drejton vendin më të varfër të Gadishullit Arabik prej 32 vitesh, i ka rezistuar thirrjeve të vazhdueshme të perëndimit për t’u dorëhequr, ndonëse në disa raste ka thënë se është i përgatitur dhe i vendosur që të largohet nga skena politike sa më shpejt.

Në 8 tetor, Saleh deklaroi në një intervistë televizive se do të largohej nga pushteti brenda disa ditësh, por me sa duket, askush në Jemen nuk e ka besuar këtë deklaratë.

Ai u rikthye në mënyrë të papritur në fillimin e muajit nga Arabia Saudite, ku u kurua disa javë rresht për plagët e shkaktuara nga thërmijat e një predhe, të cilat goditën zyrën e tij gjatë qershorit.

Top Channel