Partia e kryeminstrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE konteston përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni. Kjo parti akuzon se në regjistrimin e vitit 2002 kur në qeveri ishte partia e Branko Cërvenkovskit, LSDM, janë regjistruar rreth 120 mijë shqiptarë më tepër nga numri real.
Por gjatë debatit parlamentar për shfuqizimin e ligjit të Regjistrimit, akuzat e këtilla janë hedhur poshtë nga deputetët e LSDM-së të cilët kanë thënë se kryeministri Gruevski përmes akuzave të këtilla të pabaza po tenton ta fsheh keqpërdorimin e 14 milion eurove të harxhuar në 10 ditët e para të regjisrtrimit.
“Nëse besoni se 120 mijë shqiptarë janë falsifikuar në vitin 2002, pse nuk keni ngritur asnjë padi penale deri më tani për ata që e ka bërë falsifikimin. Nëse është ashtu atëherë pse tani jeni në qeveri me partinë shqiptare BDI, e cila atë kohë ishte me ne në qeveri, pse pra qeverisni bashkë me falisfikatorët. Mjaft me këto gjëra, por na tregoni kush do të përgjigjet për 14 milion euro të harxhuara në 10 ditët e para të regjistrimit?”, deklaroi, Emiljan Stankovic, deputet i LSDM-së.
“Ju jeni falsifikatorët e regjistrimit të vitit 2002. LSDM-ja dhe askush tjetër. VMRO-DPMNE-ja do të veprojë sipas interesave kombëtare dhe shtetëror të Maqedonisë. Prandaj për të shmangur përsëritjen e falisikimit sot kemi propozuar ligj për ndërprerjen e regjistrimit”, u shpreh Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Akuzat e VMRO-DPMNE-së për falsifikimin e numrit të shqitparëve, nuk i ka komentuar askush nga partia shqiptare në qeveri.
Ndërkaq, debatin për shfuqizimin e ligjit për regjistrim e kanë braktisur deputetët e PDSH-së, për shkak të mosgatishmërisë së mazhorancës për të hapur dialog të mirëfilltë për cështjen e regjistrimit.
“Duke parë mosgatishmërinë e shumicës parlamentare për dialog, cka vërteton edhe propozimi ligjit për ndëprerjen e regjistrimit pa konsulta paraprake, grupi parlamentar i PDSH-së e lëshon punën e kuvendit që ka të bëjë me këtë ligji”, njoftoi Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
Regjistrimi i popullsisë u ndëpre ditë më parë pas shpërbërjes së Komisionit të Shtetëror të Regjistrim. Në bazë të regjistrimit të vitit 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni, është 25.1 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë dy milionëshe.
Top Channel